
Dhjetra vullnetare nga Shqipëria, Kosova por edhe të ardhur nga shtete të ndryshme u bashkuan në një aksion për pastrimin e liqenit të Shkodrës në kuadër të ditës botërore të tokës. Pjesa e aksionit të pastrimit janë edhe fëmijët të cilët nuk ndjehen aspak mirë kur shohin ndotjen në liqenin e Shkodrës.
Rajan dhe Xhud Stenly janë nënë e bijë nga Shtetet e Bashkuara të cilat iu bashkuan aksionit të pastrimit në liqenin e Shkodrës. Ata japin mesazhe që askush të mos e ndot mjedisin.
Arianit Mula nga Kosova erdhi bashkë me 10 vullnetarë të tjerë shqiptar të Kosovës, pjesë e grupimit joformal “Për Atdhe të Pastër” që organizuan këtë aksion pastrimi thotë se çështja mjedisore duhet të ngulitet që tek fëmijët.
Aksioni i pastrimit në liqenin e Shkodrës u mbështet nga disa organizata dhe grupimi jo formale edhe në Shkodër. Aurora Piroviq e grupimit “Natyralistët” por edhe eksperte mjedisore shprehet se dëmet nga ndotja në liqenin e Shkodrës dhe lumenjtë janë të mëdha.
Liqeni i Shkodrës u pastrua nga vullnetarët në disa pika të ndryshme të bregut perëndimor duke ndikuar sado pak në përmirësimin e situatës nga mbeturinat që hidhen pa kriter.