Sot pritet të përfundojë aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në theth, pas rreth një jave ndërhyrjesh nga autoritetet. deri në orën 18:00, pritet që të çmontohen vullnetarisht nga vetë pronarët edhe dy objektet e fundit, të cilat janë lënë në afat nga strukturat shtetërore.
Ky aksion, i cili ka zgjatur një javë, ka çuar në shembjen e rreth 70 ndërtimeve të paligjshme në zonën e mbrojtur të Thethit. Pas përfundimit të ndërhyrjeve të sotme, autoritetet shtetërore do të tërhiqen nga territori i parkut kombëtar, duke i hapur rrugë rikthimit të kontrollit dhe ruajtjes së integritetit mjedisor të Thethit.
Në Theth vijon të ketë prani të shtuar të forcave të policisë, të cilat janë vendosur në formacion sigurie përgjatë zonës ku po zhvillohet ndërhyrja. Po ashtu, në vendngjarje ndodhen mjete të rënda (fadroma), të cilat po vijojnë me shembjen e objekteve të evidentuara si të ndërtuara në kundërshtim me ligjin.
Ky aksion në zonën e Thethit ka nisur prej ditësh në bazë të një urdhri të lëshuar nga Kryeministri, në funksion të mbrojtjes së territorit dhe ligjshmërisë në zonat e mbrojtura.
Aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje në Theth është shoqëruar me tensione mes banorëve dhe forcave të rendit, ndërsa ka patur edhe përplasje verbale dhe momente përshkallëzimi.

Artikulli paraprakUNIVERSITETI I SHKODRËS “LUIGJ GURAKUQI” JU MIRËPRET ME ZEMËR HAPUR
Artikulli tjetërRAMA REAGON PËR THETHIN: NUK PREMË NJERI NË BESË