
Aksioni për lirimin e hapësirave publike të zaptuara nga subjektet private po vijon në të gjithë vendin.
Kryeministri Edi Rama , publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga një tjetër ndërhyrje e forcave të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ku po kryhej prishja e një godine të ndërtuar në mënyrë të paligjshme.
“Vijojmë kudo”, shkroi Rama, duke theksuar vendosmërinë e institucioneve për të vijuar aksionin në të gjithë vendin.
Nisma është pjesë e programit “Rilindja Urbane 2.0” dhe synon rritjen e cilësisë së shërbimeve, funksionalitetit urban dhe respektimin e standardeve të mikpritjes në çdo qytet të Shqipërisë.
Aksioni, i nisur në korrik, është konceptuar si ndërhyrje e përhershme dhe mbetet prioritet i pushtetit vendor dhe qendror.
Qeveria ka forcuar kontrollet mbi territorin dhe ka ashpërsuar masat në Kodin e ri Penal për goditjen e ndërtimeve pa leje.






