Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk i ka kursyer akuzat në drejtim të qeverisë ‘Rama’. Nga foltorja e Kuvendit Basha foli për një skemë mafioze me pastrimin e parave.

Sipas Bashës, institucionet shtetërore janë me kod omerta të mafies.

“Kur e gjithë ekonomia ndaloi, duke pësuar goditje edhe për shkak të paketave gjysmake që ju ofruat, çuditërisht ndërtimi pësoi një rritje të pashpjegueshme, me miliona metra katrorët beton të hedhura, jo të mbështetura në ekonominë reale, por në atë të zezë. Dhe po aq çuditërisht, në një vend të varfëruar dhe të mpakur nga largimi i qindra-mijëra bashkëqytetarëve tanë, ky shpërthim ndërtimesh nuk vepron sipas rregullave të ofertë-kërkesës. Sepse në vend që të ulë çmimin për metër katror, çmimi vetëm rritet.

Kjo prodhon një tjetër efekt negativ për shumicën e shqiptarëve që nuk fitojnë më shumë se 500 mijë lekë në muaj, sidomos familjet e reja, pamundësinë për të blerë një shtëpi me çmim të përballueshëm.

Sepse çmimin nuk e përcakton tregu, por korrupsioni, ryshfeti dhe paligjshmëria, pastrimi I parave të pista, korrupsioni qeveriatar dhe krimi i organizuar. Është ky karshillëk, që përbuz punën e ndershme, që përbuz mundin e burrave dhe grave të këtij vendi për të ndërtuar jetën e tyre këtu, me të cilin nxitet dhe ushqehet mosëesimi, apatia, dëshpërimi dhe në fund largimi nga vendi si e vetmja zgjidhje.

Ndërsa e gjithë kjo skemë mafioze vijon të veprojë, pavarësisht asaj që shohim me sy të lirë në qytetet tona dhe në bregdetin tonë, pavarësisht alarmit të ngritur nga partnerët ndërkombëtarë, nga organizatat, studiuesit, nga media vendase dhe e huaj, asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk vë ujin në zjarr, nuk pyet, nuk heton, nuk monitoron këto leje ndërtimi që u jepen kompanive fantazmë, askush nuk ndjek paranë.

Kjo omertà institucionale, ky kod heshtje që është i mafies dhe subjekteve të saj, zbulon si fajtorë të gjithë ata që kanë detyrën të mos e lejojnë Shqipërinë të kthehet në një parajsë për pastruesit e parave dhe miqve të tyre në politikë.

Nga ana tjetër mosveprimi dhe paraliza e institucioneve dhe e shtetit të kapur e shndërron atë në një ferr pandershmërie dhe pandëshkueshmërie për qytetarët që kërkojnë standarde europiane për të ndërtuar jetët e tyre dhe familjeve të tyre. Kjo omertà po prodhon një ekonomi të droguar, që nuk pasqyron forcat normale të tregut, që prodhon një rritje fiktive në letër, pa vende pune, pa fuqi blerëse, pa mirëqenie përveç mishngrënësve të Nusretit dhe kryeministrit me avion privat qeveritar e një grushti oligarkësh.

Ju krekoseni me sukseset tuaja imagjinare, por në fakt kjo omertà gjymton konkurrencën, iniciativën e lirë, ëesimin te shteti dhe institucionet, që shihen sic në fakt janë kthyer në legjitimuese të krimit dhe korrupsionit që kryet për të gjeneruar këto para.

Fundi i kësaj omerta-je, e përsëris dhe do ta përsëris derisa SPAK qilimkuqit t’i dalin për së mbari kicat, pret që drejtësia të mos fshihet pas gishtit, por të hapë sytë. Nuk është e vështirë. Mjafton të ndiqni paratë, mjafton një xhiro në këmbë në Tiranë, të ngrini kokën lart, e teksa ju merren mendtë nga katet që mezi numërohen, t’i shtroni vetes pyetjet që çdo qytetar i këtij vendi i bën vetes kur sheh që kullat mbijnë si kërpudhat pas shiut të parave të pista. Parave të pista që kjo qeveri lejon, e që heshtja e SPAK-ut dhe institucioneve të tjera legjitimon, me hetimet që nisen e nuk bitisen.”, tha Basha.