Një person i armatosur vrau nëntë persona, përfshirë pesë fëmijë, në një shkollë në Rusi të hënën përpara se të bënte vetëvrasje, thanë zyrtarët rusë.

Motivi i të shtënave në Izhevsk, kryeqyteti i rajonit Udmurtia rreth 970 km (600 milje) në lindje të Moskës, ishte i paqartë.

Dega e ministrisë së brendshme në Udmurtia tha se trupi i të armatosurit u zbulua nga policia në vendngjarje. Komiteti Hetues i Rusisë tha se sulmuesi kishte vrarë nëntë persona përpara se të kryente vetëvrasje. Viktimat përfshijnë pesë fëmijë, dy mësues dhe dy roje sigurie, tha ajo. Po kështu disa persona kanë mbetur të plagosur.

Shkolla Nr.88, ku ndodhën të shtënat, është evakuuar, sipas ministrisë së arsimit.

Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan studentë dhe mësues që vraponin nga ndërtesa, si dhe viktimat që transportoheshin në ambulanca me barela.

Rusia ka parë disa ngjarje me të shtëna në shkolla vitet e fundit.

Në maj 2021, një adoleshent i armatosur vrau shtatë fëmijë dhe dy të rritur në qytetin e Kazanit. Në prill të vitit 2022, një burrë i armatosur vrau dy fëmijë dhe një mësuese në një kopsht fëmijësh në rajonin qendror të Ulyanovsk përpara se të bënte vetëvrasje.