Ditën e sotme Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi do të dalin përpara Gjykatës Speciale në Hagë. Kjo është seanca e shtatë që do të mbahet në lidhje me ecurinë e çështjes për ish-krerët e UÇK-së.

Në kalendarin e Gjykatës Speciale thuhet se konferenca do të nisë në orën 14:30, ndërsa pritet që avokatëve t’iu dorëzohen materialet hetimore, në mënyrë që të vijojë gjyqi.

Në seancën e fundit që është mbajtur më 21 korrik ka pasur debate mes avokatëve të të akuzuarve dhe prokurorisë, kjo për shkak se kjo e fundit nuk i ka pajisur plotësisht me materialet hetimore. Avokatët kanë arritur të marrin pothuajse 30% të dosjes, ndërsa ju mungon dhe një pjesë e konsiderueshme, përkatësisht 70% e saj.

Kujtojmë se Dhomat e Specializuara e konfirmuan aktakuzën ndaj ish-eprorëve të UÇK-së më 26 tetor të vitit 2020.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi qëndrojnë në paraburgimin e Hagës që prej 5 Nëntorit dhe akuzohen se si drejtues të UÇK-së kishin kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.