Teksa emërtoi koronavirusin e ri si “Covid-19”, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se “një virus mund të krijojë më shumë trazira politike, ekonomike dhe sociale sesa çdo sulm terrorist.”

Ai tha se bota duhet të zgjohet dhe ta konsiderojë këtë virus si armikun numër një.

“Koha është thelbësore”, tha Ghebreyesus.

“Unë dua t’i kujtoj botës që ta shfrytëzojë këtë mundësi, duke bërë gjithçka të mundshme për të ndaluar virusin. Koha është thelbësore. Duhet të veprojmë urgjentisht.”

“Zhvillimi i vaksinave dhe trajtimeve është një aspekt i rëndësishëm i axhendës së kërkimit, por nuk është i vetmi. Do të duhet ca kohë për t’i zhvilluar ato, por ndërkohë ne nuk jemi të mbrojtur”.

OBSH kërkoi një investim prej 675 milion dollarësh javën e kaluar për të mbështetur luftën kundër koronavirusit në vendet e prekura.