Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, sot do të takojë presidentin e Francës Emmanuel Macron.

Në orën 19:30, Kurti do të pritet në Pallatin Elisee në Paris nga presidenti Macron.

Kurti dhe Macron do të bisedojnë lidhur me temën e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë si dhe perspektivën e Kosovës drejt integrimeve Evropiane.

Pritet që Kurti të kërkojë nga presidenti Macron përkrahje për procesin e liberalizimit të vizave. Kjo është vizita e parë e Kurtit në Paris pas marrjes së detyrës si kryeministër.

Ftesën për takim, Macron ia kishte dërguar para tre muajsh kryeministrit Kurti, pasi ai kishte fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Në kuadër të përgatitjeve për vizitën, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dje ka pritur në takim këshilltaren politike për Ballkan të presidentit francez Emmanuel Macron, Isabelle Dumont.