
Kompozitori me famë botërore Aldo Shllaku solli në Shkodër koncertin “Muzika e Hollywood”, një mbrëmje artistike që mblodhi publikun në sheshin para Bashkisë. Nën interpretimin e Orkestrës Simfonike dhe Korit të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, së bashku me formacionin instrumental modern, koncerti përcolli kolonat zanore të disa prej filmave më të njohur botërorë. Në skenë u ngjitën edhe vokalistja Ayana Haviv dhe pianisti Jeff Hoeppner, të cilët i dhanë një dimension ndërkombëtar kësaj mbrëmjeje muzikore.
Kompozitori Aldo Shllaku u shpreh se ishte një emocion i veçantë të performonte në qytetin e lindjes, duke vlerësuar mikpritjen dhe atmosferën që krijoi publiku.
Drejtori i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Aulon Naçi, theksoi se aktivitete të këtij niveli duhet të organizohen më shpesh në qytete të ndryshme të vendit, për t’ia afruar artin sa më shumë publikut.
Muzikanti Zef Çoba vlerësoi rëndësinë e këtij koncerti për jetën kulturore të Shkodrës.
Mbrëmja u mirëprit me duartrokitje të gjata nga publiku, duke krijuar një atmosferë të veçantë në qendër të qytetit.
https://youtu.be/WWMBJCGjbvw






