Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e zhvendosi sot protestën para SPAK. Përfaqësuesit e aleancës thanë se simbolika e kësaj proteste është mbështetja dhe inkurajimi i prokurorëve të SPAK për të vepruar një orë e më parë për çështjen e Teatrit.

Regjisori Robert Budina tha se fadroma goditi godinën kur aktorët ishin brenda dhe kjo është një tentativë e pastër vrasje.

Robert Budina: Qëllimi protestës është sensibilizimi. Kemi caktuar juristët të flasin për çfarë ne jemi këtu ndërsa në parim protesta para SPAK është sensibilizim dhe mbështetje totale nga ana jonë e prokurorëve që të vazhdojnë ato procese që kemi sjellë këtu dhe do të vazhdojmë do të sjellim.

Fadroma i ra Teatrit kur ishim brenda, të veprojnë me urgjencë se ishte tentativë për vrasje. Kemi prova dhe filmime.

Prokurorët duhet të ndihen të mbështetur se ne do ta çojmë këtë lëvizje në gjithë Shqipërinë. Që mos ta çojnë popullin në përplasje me qeverinë kanë detyrën dhe moralin që të hapin procese dhe të shkojnë tutje.

Nuk është faji i artistëve që mbrojtën Teatrin Kombëtar që nuk ka sistem drejtësie. Duke qenë se politika na ka vjedhur institucionet dhe drejtësinë jemi të detyruar të thërrasim popullin në fushëbeteje për të mbrojtur demokracinë.

Populli është i lodhur vëllezër prokurorë, bëhuni ju të parët që jepni shkëndijën e shpresës. Nëse ju fshihni kriminelët do të ketë një përgjigje mbarëpopullore. Jemi të vendosur ta çojmë deri në fund betejën tonë pa kompromise. E kemi provuar në kurriz, as duam të bëjmë parti dhe as të përfitojmë.

Ervin Goci: Është protestë e pazakontë. Ne jemi këtu se kjo protestë është politike, sistemi i drejtësisë është shkrirë me një angazhim politik. Subjektet politike nuk mund të shfrytëzonin boshllëkun.

Grabitqarët politikë shfrytëzuan boshllëkun dhe u sulën si përbindësha mbi pasuritë publike, është përgjegjësi politike e klasës politike dhe ndërkombëtarëve. Ne sot jemi njerëz gati në kufijtë e azilantëve politikë, nuk kemi asnjë siguri.

Nëse nuk ka drejtësi protesta do të jetë politike për të dhënë dorëheqjen kryeministri i pari, kryetari i bashkisë i dyti. Prokuroria ka shumë në dorë se mund të pezullojë nga detyra kryetarin e bashkisë që tani.

Ai është në hetim, nuk duhet lënë asnjë moment as të veprojë dhe as të firmosë. Vendi i krimit atje duhet të kalojë në siguri prove, nuk mund të vazhdojnë punimet. Materialet e teatrit po çohen në inceneratorë. Prokurorët duhet të vazhdojnë shpejt, situata është jashtëzakonisht emergjente.