
Altin Dumani, prokurori që u zgjodh në krye të SPAK do të prezantohet sot zyrtarisht para stafit. Në ceremoni do të jetë i pranishëm edhe kreu i KLP Alfred Balla. Në fjalën e tij, Dumani u shpreh se është gati për t’u përballur me sfidat duke nisur nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Po ashtu ftoi kolegët që të bashkëpunojnë sa më shumë për të demonstruar se janë kundër çdo shkelësi ligji.
Kreu i ri i SPAK, Altin Dumani ka mbajtur fjalën e tij para stafit duke thënë se do të jetë gati për tu përballur me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Nuk është shumë nevoja të prezantohet drejtuesi i ri se kemi punuar 3 vite me njëri-tjetrin përveç kohës që kemi punuar në vende të tjera. Besimin që më dhatë do ta përdor në funksion për tu përballur me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Falenderim të veçantë për Krajën. Të gjithë e dimë sa e vështirë është të ndërtosh shtëpi të re nga themeli. Sot falë kontributit tuaj të çmuar kemi një prokurori funksionale me bilanc pozitiv. Këto 3 vite kanë qenë të vështira. Pavarësisht këtyre secili prej nesh ka pasur rezultatet e tij, ndaj ju shpreh mirënjohje.
Kemi një prokurori që është në funksion të plotë në përbërje të cilës jemi 70 prokurorë, kemi fituar eksperiencë në këto 3 vite pune. Ju nxis që të gjithë së bashku të demonstrojmë që jem të aftë kundër çdo shkelës ligji. Unë do jem në krahun tuaj përballë sfidave që na presin. Ju bëj thirrje hetuesve se zyra e drejtuesve është e hapur”, tha Dumani.
Altin Dumani u zgjodh në krye të SPAK të premten duke marrë 5 vota nga 10 anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që morën pjesë në zgjedhjen e kryeprokurorit të Prokurorisë së Posaçme.
Dumani është drejtuesi i dytë i SPAK që prej krijimit të këtij institucioni kyç që pas reformës në drejtësi. Mandati i Dumanit është 3-vjeçar, pa të drejtë rikandidimi. Kjo ishte hera e dytë që Dumani kandidoi për të marrë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, pasi herën e parë nuk fitoi përballë Arben Krajës.






