Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Luigi Soreca iu bën thirrje qytetarëve shqiptarë të cilëve iu ka përfunduar afati i dokumenteve të identifikimit t’i rinovojnë ato. Thirrja ka ardhur pas një takimi online që ambasadori Soreca ka pasur me Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve dhe kreun e saj Ilirjan Celibashi. Ai shkruan se rinovimi i dokumenteve biometrike të identitetit është një sfidë e madhe.

“Shkëmbim i mirë me KQZ-në, Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi dhe OSBE. Po punohet për zbatimin e kodit të ri zgjedhor bazuar në reformën e 5 qershorit. Por rinovimi i shumë dokumenteve biometrike të ID është një sfidë e madhe. Ne i bëjmë thirrje qytetarëve që urgjentisht t’i rinovojnë ato para ditës së zgjedhjeve”, shkruan Soreca. Ndërkohë edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote të verifikojnë emrin e tyre në listën e zgjedhësve, si dhe vendndodhjen e qendrës së tyre të votimit.

Në deklaratën e plotë të KQZ thuhet se: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote të verifikojnë emrin e tyre në listën e zgjedhësve, si dhe vendndodhjen e qendrës së tyre të votimit. Kontrolli i listës së zgjedhësve dhe i vendndodhjes së qëndrës së votimit mundet të bëhet duke klikuar në rubrikën “Lista e Zgjedhësve” në faqen e internetit të të KQZ-së, ose atë të Ministrisë së Brendshme.

Në rast se konstatoni paregullsi tek të dhënat tuaja, apo dëshironi të ndryshoni ose të shtoni të dhëna në ekstraktin zgjedhor, paraqituni menjëherë pranë zyrës së Gjendjes Civile në Njësinë tuaj Administrative. Gjithashtu, KQZ i bën apel qytetarëve që ju ka mbaruar ose ju mbaron afati i vlefshmërisë së dokumentit të identifikimit deri në datën 25 prill që të aplikojnë për rinovimin e tyre. Procesi i votimit nuk mund të kryhet pa një mjet identifikimi të vlefshëm në ditën e zgjedhjeve.

Ndaj, KQZ ju bën thirrje qytetarëve që të mos e lënë për në momentin e fundit por të drejtohen pranë zyrave të kompanisë “Aleat”, për të aplikuar për rinovimin e dokumentit të identifikimit. Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, synohet të implementohet identifikimi elektronik i zgjedhësve, ndaj një dokument i identifikimit i vlefshëm është shumë i rëndësishëm për pjesëmarrjen tuaj në votim.

Të votosh është e drejtë por edhe përgjegjësi qytetare. Ndaj, verifikoni emrin në listën e zgjedhësve, qendrën tuaj të votimit dhe rinovoni dokumentin tuaj të identifikimit”, përfundon KQZ deklaratën e saj.

Artikulli paraprakMES-MYSELIM, UJI DHE NGRICA BLLOKOJNË RRUGËN
Artikulli tjetërRAPSODI VIKTOR PALOKA MERR TITULLIN “MJESHTËR I MADH”