“Në Shqipëri duhet të kthehet besimi tek drejtësia dhe kjo është arsyeja kryesore se pse të rinjtë kërkojnë të largohen nga Shqipëria”. Kështu u shpreh ambasadorja çeke në Shqipëri Branislava Tomasova gjatë tryezës së rrumbullakët për reformën në drejtësi që u zhvillua në Shkodër.

(Reformimi i sistemit të drejtësisë është kusht kryesor për hapjen e negociatave BE-së me Shqipërinë. E megjithatë, qëllimi në vetvete i kësaj reforme nuk është përmbushja e kushtit të BE-së për dhënien e një tjetër çmimi Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit në BE. Qëllimi është themelimi i një sistemi funksional të gjyqësorit, ku ndërhyrjet politike apo të tjera nuk do të jenë të mundura. Qëllimi është themelimi i një sistemi në të cilin prokurorët dhe gjyqtarët joefikasë, joprofesionistë dhe të korruptuar nuk do të lejohen të punojnë më. Qëllimi është që qytetarët shqiptarë dhe investitorët e huaj të fitojnë besimin ndaj sistemit të drejtësisë. Ekziston nevoja që ky proces të fillojë – sa më shpejt të jetë e mundur, pasi vendi është duke humbur shumë para për shkak të sistemit jofunksional të drejtësisë. Kjo me siguri është edhe një nga arsyet se pse të rinjtë shqiptarë shprehin mendimin për të jetuar më mirë diku tjetër sesa në vendin e tyre sic tregojnë edhe sondazhet e fundit).
Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar duhet të largohen nga sistemi tha ambasadorja çeke ndërsa i kërkoi forcave politike që të gjejnë kompromisin për këtë reformë pas opinionit të Komisionit të Venecias që pritet të vijë në dhjetor.
(Duke e ndjekur Shqipërinë nga afër gjatë gjithë misionit tim këtu për pothuaj 4 vjet unë duhet të përgëzoj të gjithë punën teknike të bërë në reformën në drejtësi vetëm gjatë vitit të kaluar. Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe jo-profesionistë do të duhet të largohen nga sistemi. Unë jam e vetëdijshme se partitë politike nuk ndajnë pikëpamje të njëjta në lidhje disa elemente të reformës, por unë shpresoj se opinioni i lëshuar nga Komisioni i Venecias së bashku me konsultimet aktuale do të krijojnë një bazë solide për kompromis. Është e qartë se pa reformën në drejtësi nuk do të ketë progres të mëtejshëm në integrimin në BE të Shqipërisë. Dhe është e qartë se e gjithë klasa politike mban të njëjtën përgjegjësi për të: para bashkësisë ndërkombëtare dhe kryesisht para qytetarëve te saj). Edhe ambasadorja çeke është në të njëjtën linjë me përfaqësuesit e tjerë diplomatik apo ekspertët në lidhje me reformën në drejtësi e cila ndodhet ende në fazën e konsultimeve.