Pas kërkesave të njëpasnjëshme në media, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Shkodër ka akorduar një fond prej 400 mijë lekësh të reja për restaurimin e një pjese të çatisë së Muzeut Historik të qytetit.

Përgjegjësi i sektorit të arkeologjisë pranë kësaj drejtorie tha se për ndërhyrje të tilla janë të hapur të bashkëpunojnë edhe me institucionet lokale. Për drejtorin e muzeut historik ndërhyrjet janë të dobishme, megjithse sipas tij, godina ka nevojë për restaurim total. Amortizimi i Muzeut Historik të Shkodrës ka qenë i vazhdueshëm nga viti në vit, ndërsa punonjësit e tij kanë dhënë edhe më parë alarmin e dëmtimit të fondeve historike. Ndërhyrja që po i bëhet në prag të stinës së dimrit shmang dëmtimin e mëtejshëm të godinës.