Rreth 800 metër aks rrugor që kalon përmes fshatit Beltojë të njësisë administrative Bërdicë janë amortizuar totalisht, duke penalizuar lëvizjen e banorëve.

Nga viti në vit, situata është përkeqësuar, pasi kanë munguar ndërhyrjet. Gjendja është e njëjtë si gjatë verës ashtu edhe në dimër. Rrëketë e ujërave që kalojnë përmes rrugës kanë ndikuar nga ana tjetër që amortizimi të jetë i vazhdueshëm. Ajo që bie më së shumti në sy janë gropat me ujë. Aksi tejet i ngushtë nga ana tjetër, ka penalizuar lëvizjen e automjeteve.

Edhe makinat e pastrimit të zonës e kanë të vështirë kalimin në lagjet e fshatit. Banorët thonë jashtë kamerave se uji i krijuar në shumë segmente të rrugës ka krijuar vështirësi në lëvizje. Fëmijët e shkollës janë ata që penalizohen më së shumti, ku gjatë këtyre muajve të dimrit e kanë pasur mjaft të vështirë t’u drejtohen institucioneve mësimore. Nevoja për ndërhyrje në lagjet e fshatit Beltojë është emergjente prej kohësh, megjithatë kjo nuk ka ndikuar që ky fshat fare pranë qytetit të Shkodrës të përfshihet në fondet e invetimit infrastrukturore.

Artikulli paraprak“DUKE IMAGJINUAR DY RRUGËT E IDROMENOS”
Artikulli tjetërBLICI RRUGOR, VIJON OPERACIONI I POLICISË