Edhe pse jemi një vit pas përmbytjeve në njësinë administrative Ana e Malit, tek fermerët ndihen ende pasoja që la prezenca e ujit për më shumë se dy muaj në toka bujqësore.

Administratori Arben Ceni bën të ditur se deri tani, banorëve të zonës nuk I është ofruar asnjë subvencion nga Drejtoria e Bujqësisë për t’I lehtësuar këto familje nga kostot e larta që duhen bërë për mbjelljen e tokave në këtë periudhë.

Administratori Ceni shton se mungesa e politikave lehtësuese nga qeveria ka demoralizuar banorët në atë pikë, sa edhe ato familje të cilat e kanë mundësinë nuk investojnë më në mbjelljen e tokave bujqësore.

Në këtë njësi administrative, banorët kanë kërkuar vazhdimisht përkrahje nga instancat përkatëse pasi përmbytjet e herë pas hershme kanë ndikuar në cilësinë e tokës bujqësore pasi mundësia për të investuar nga ana e tyre është tepër e vogël.