Rëshjet e rëna me intensitet të lartë gjatë ditëve të fundit, të cilat janë pasuar edhe me përmbytjen e disa zonave në qarkun e Shkodrës, kanë nxjerrë në pah edhe mangësitë që pushteti vendor dhe qendror ka në menaxhimin e këtyre situatave.

Në të shumtën e rasteve, mungesa e ndërhyrjes nga institucionet ka detyruar shumë banorë të ndërhyjnë vetë në zhbllokimin e rrugëve apo largimin e ujit nga banesat. Një rast i tillë është denoncuar në redaksinë e Star Plus nga një banor i Njësisë Administrative Shalë.

Denoncimi në Star Plus: “Ju lutem postojeni. Një fadromë që kishtë marrë një tendër për riparimin e rrugës në Njësinë Shalë, pra për zhbllokimin e urës, nuk e bëri punën e saj dhe shoferi na u përgjigj se nuk kishtë forcë të na ndihmonte. Ne ndërhymë vetë dhe e zhbllokuam urën. Fadromisti la fadromën dhe iku. Kjo është qeveria dhe bashkia.”

Reshjet e shiut në Shkodër kanë filluar që nga mesi i javës që lamë pas, duke sjellë probleme pothuajse në të gjitha njësitë administrative.