Në Shqipëri, studiues të pavarur dhe politikanë të opozitës pohojnë se fitorja e thellë e Partisë Socialiste në zgjedhejt vendore erdhi më së shumti me gjendjen e rëndë, ku gjendet sot Partia Demokratike. Ata mendojnë se qytetarët e braktisën Partinë Demokratike, sepse ajo u shfaq e përçarë, pa alternativë dhe konfliktuale dhe se rimëkëmbja thelbësore e saj do të tjetërsojë zhvillimet politike në Shqipëri. Studiuesi Afrim Krasniqi thotë se në zgjedhjet vendore nuk u paraqit një opozitë reale, ndaj qytetarët refuzuan opozitën.

“Ka një refuzim masiv të qytetarëve të pavendosur, të qytetarëve të moderuar, të votuesve të rinj dhe njerëzve kritikë të këtij vendi për ofertën e opozitës. Ata kërkojnë që Shqipëria të ketë një alternativë. Mospjesëmarrja në zgjedhje i dedikohet bojkotit, që ata I kanë bërë ofertës së opozitës, e cila nuk ishte një ofertë në emër të opozitës, por ishte një lloj oferte personale dhe një luftë personale e lidershipit të opozitës”, thotë zoti Krasniqi.

Studiues të tjerë vlerësojnë se demokracia shqiptare është në rrezik, sa kohë që qeveria qendrore dhe ajo vendore janë simetrike, dhe se harta njëngjyrëshe e pushtetit vendor nuk sjell asnjë të mirë. Studiuesja Nevila Xhindi thekson se mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhjet vendore të 2019 dhe projekti i mbrapshtë indivdual i asaj kohe, shkaktuan krizën disa vjeçare, braktisjen e sotme nga qytetarët dhe traumatizimin e elektoratit shqiptar.

“Unë lexoj dy momente: kemi një bojkot të zgjedhjeve vendore dhe kemi një opozitë të vdekur. Pra, demokracia është në rrezik të madh. Njerëzit bojkotuan projektin politik individual të të djathtës shqiptare, si dhe bojkotuan projektin politik të opozitës shqiptare, e cila ishte e thërrmuar, multipolare dhe nuk nxori asgjë”, thotë zonja Xhindi.

Në radhët e deputëteve opozitarë gjendja është po aq e vështirë. Pedagogu dhe publicisti Agron Gjekmarkaj, nënkryetari opozitar i Kuvendit, thotë se rezultatet e zgjedhjeve vendore janë një katastrofë elektorale për opozitën.

“Qytetarët shprehën lodhjen e tyre ndaj gjendjes së opozitës, plot përçarje dhe gjuhë të ashpër kundër njëri tjetrit, deri në përplasje fizike mes tyre. Afro 200 mijë vetë e braktisën atë, duke qëndruar në shtëpi, sepse gjuha e konfliktit me SHBA-në dhe botën perëndimore e zotit Berisha nuk u pëlqeu demokratëve”, thotë zoti Gjekmarkaj. Ai nuk përjashton përjashton abuzimet e socialistëve me pushtetin dhe me votën, por pranoi se në zgjedhje nuk kishte një frymë pro opozitës.

Studiuesit janë ende skeptikë nëse Patia Demokratike do të rimëkëmbet shpejt, edhe pse theksojnë se Shqipëria ka nevojë jetike për reformimin e saj. Zoti Krasniqi thotë se grupi parlamentar, që duhet ta bëjë reformën është i dobët, i përçarë, klientelist dhe jo përfaqësues. Ai thekson se interesat e politikanëve, që përfaqësojnë sot opozitën nuk përputhen me interesat që ka sot shoqëria shqiptare. Studiuesit vlerësojnë se demokracia e cënuar brenda partive politike dhe brenda forumeve të tyre rinore pengon daljen e grupimeve reformatore me frymë të re, duke cënuar edhe demokracinë e gjithë vendit. Nga ana tjetër, zoti Gjekmarkaj mendon se grupimet në Partinë Demokratike nuk duhet të nxitojnë për të zgjedhur drejtues të rikthyer, Foltorja duhet të ndalë revanshin folklorik dhe agresivitetin absurd, ndërsa ish kryeministri Sali Berisha duhet të tërhiqet mënjanë dhe të krijojë hapësirën, që dy pjesët e PD të përpiqen për një themelim të ri të opozitës, një opozitë e re pa i humbur mbështetësit e vjetër.

“Grupet nuk duhet të ekstremizohen, dhe të bëjnë sikur nuk ka ndodhur asgjë e të flasin për beteja të reja apo fitore të reja. Kjo do ta kthente tragjedinë në një komedi. PD zyrtare nuk duhet të ngutet për të zgjedhur forumet drejtuese në këtë gjendje të rëndë, por të krijojë hapësirë dhe kohë, dhe të pezullojë veprimtaritë e parashikueshme për të zgjedhur drejtues të rikthyer, çka do të ishte një vetëvrasje tjetër. Nëse PD duhet të shpëtohet, mendjet duhet të ftohen dhe PD të ripërcaktohet”, thotë zoti Gjekmarkaj. Sipas tij, Partia Demokratike duhet të rindërtojë marrëdhëniet e saj me shoqërinë, me ide të reja, dhe dinamikë të re dhe të kryejë një rithemelim të vërtetë me njerëz të rinj dhe pa dy ish kryetarët e saj, Berisha dhe Basha, të cilët janë përgjegjësit kryesorë të kësaj gjendjeje.

Analistët e jetës politike në vend mendojnë se Partia Socialiste ka fituar shumë bashki me numra minimalë të saj, ka njësuar veten me shtetitn, dhe ka krijuar një sistem klientelist të rrezikshëm për Shqipërinë, sepse bllokon reformat dhe hapësirën demokratike në Shqipëri. Studiuesi Afrim Krasniqi thotë se ky sistem asfiksues është bërë tani më i fuqishëm se sa vet Partia Socialiste, sepse militantët votojnë çdo herë në uniformitet.

“Partia Socialiste nuk është reformatore dhe nuk u bë asnjë debat për decentralizimin, për integrimin europian, për reformat e mëdha si një vend në pritje të anëtarësimit në BE. Fuqia e PS për reforma është kufizuar ndjeshëm, por fuqia e Partisë Socialiste për të reformuar vetveten është e pamundur në këtë situatë. Në 15 bashki kryesore nuk ka konkurrencë dhe as llogaridhënie, rizgjidhen të njëjtët njerëz me të njëjtën numër votash, kjo dmth që fiton sistemi dhe jo individët”, thotë zoti Krasniqi.

Bojkotimi i Kuvendit dhe i zgjedhjeve vendore pohojnë analistët, dëmtoi rëndë vet Partinë Demokratike me tensionet që u shkaktuan, ndërsa kthimi në institucione dhe rindërtimi I saj ende duket procese tejet të vështira.

Artikulli paraprakKËSHILLI EVROPIAN MBLIDHET NË ISLANDË PËR SAMITIN E RADHËS
Artikulli tjetërKRIFCA: MBËSHTETJE FINANCIARE DHE PROMOVIM AGROTURIZMIT