Protestë e opozitës në Tiranë, e cila e akuzon qeverisjen socialiste për abuzime të shumta me pushtetin, shpërdorime dhe shtrirje masive të korrupsionit.

Mbështetës të opozitës të kryesuar nga Partia Demokratike (PD) më e madhja në opozitë në Shqipëri, zhvilluan mbrëmjen e të enjtes, (07.07) një protestë paqësore prej më shumë se 2 orësh, ku i kërkuan qeverisë Rama të japë dorëheqjen për shkak të rritjes së çmimeve, krizës ekonomike dhe skandaleve të korrupsionit, të publikuara në të përditshmet e kryeqytetit, ku ditët e fundit kryeson ai inceneratorëve

Opozita e akuzon qeverisjen socialiste për abuzime të shumta me pushtetin, shpërdorime dhe shtrirje masive të korrupsionit. Në Strukturën e Posaçe Anti-Korrupsion, (SPAK) opozita ka bërë denoncime të shumta, sidomos për marrëveshje korruptive koncesionare të nënshkruara nga qeveria. Shqipëria po përjeton rrritje çmimesh të produkteve ushqimore bazë dhe karburanteve për shkak të luftës në Ukrainë dhe agresionit rus ndaj saj. Qytetarët shqiptarë ndihen të pasigurt ekonomikisht.

Protesta e mbrëmshme u thirr nga ish-kryeministri dhe ish-presidenti Berisha, kryetar i “Grupimit të Rithemelimit”, që mori kontrollin e PD, pas një vendimi Gjykate të Shkallës së parë, që tanimë është ankimuar në Gjykatën e Apelit, nga grupi tjetër i PD, i përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj. Në maj të vitit të kaluar ish-kryeministri Berisha u shpall „persona non grata” nga qeveria amerikane për “akte korruptive që kanë minuar demokracinë në Shqipëri” gjatë mandatit të tij si kryeministër 2005-2013.

Në protestë mori pjesë edhe Partia „Lëvizja Socialiste për Integrim”, që për nga elektorati zë vendin e tretë në Shqipëri, pas dy partive të mëdha kundërshtare, PS dhe PD, që në 30 vitet postkomuniste kanë bërë rotacionin e pushtetit. Në një podium që kishte në sfond parullën ‘Shqipëria në rrezik’ dhe ‘mos thuaj: ç’më duhet mua?” oratorët morën fjalën para disa mijëra protestuesve. Ata u fokusuan tek korrupsioni, keq-qeverisja, niveli i rritur i varfërisë dhe largimi nga Shqipëria drejt vendeve të BE, SHBA apo Kanadasë, i rinisë dhe qytetarëve të kualifikuar në profesione të ndryshme.

Ish-kryeministri Berisha në fjalën e tij deklaroi se protestat nuk do të ndalen derisa „Rama të mos jetë më kryeministër.” “Edi Rama, nga ky shesh, në emër të qytetarëve shqiptarë, ju bëj thirrje që të ndaloni hajdutët dhe të largoheni. Shqipëria është në rrezik, sepse e ardhmja e saj është në rrezik. Një komb që lind, rrit fëmijë për t’u bërë emigrantë, është një komb pa rini, pa të ardhme. Rama dhe politikat që ai ka ndjekur kanë sjellë largimin e 540 mijë shqiptarëve nga vendi në pesë vjet”, theksoi Berisha para protestuesve.

Protestë paqësore, pa asnjë incident

Protesta e mbrëmshme e opozitës është e para pas asaj për zgjedhjet parlamentare 2021, ku pati një pjesëmarrje të konsiderueshme protestuesish. Ajo u mbyll pa asnjë incident. Në prag të fillimit të saj ambasadorja e SHBA, në Tiranë, Yuri Kim, e cilësoi protestën “një të drejtë të gjithë qytetarëve”.

“Me rëndësi është të zbatohet ligji dhe protesta të jetë paqësore”, theksoi ajo pas një aktivitetit të Dhomës Amerikane të Tregtisë. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thane për DW se për të ruajtur rendin gjatë protestës u angazhuan rreth 1200 forca policore.

Dyert dhe dritaret e godinës së Kryeministrisë, përballë të cilës ishte vendosur podiumi ishin të blinduara për t’i ruajtur nga ndonjë sulm i mundshëm. Protesta e mbrëmshme është e para që ish-kryeministri Berisha organizon pas rimarrjes prej tij të drejtimit të “Grupit të Rithemelimit ” të PD, në krye të të cilit ai erdhi me zotimin që do ta rikthejë PD në pushtet. Partia Demokratike ende mbetet e përçarë keqazi, e ndarë në dy grupe kundërshtare. Megjithë pjesëmarrjen e konsiderueshme mbështetësit e grupimit kundërshtar, të përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, kryetar i grupit parlamentar të PD, nuk morën pjesë në protestë./DW/

Artikulli paraprakBIEN TEMPERATURAT DERI NË 20 GRADË CELSIUS, PARASHIKIMI I MOTIT PËR SOT
Artikulli tjetërPËRKEQËSOHET INDEKSI I BARAZISË GJINORE PËR VITIN 2021, RRITEN ABORTET DHE VDEKSHMËRIA AMTARE