Pas dy vitesh i emëruar si drejtor i Operatorit të Shpërndarjes, njësia Shkodër Andi Halluni nuk do të jetë më në atë post. Ish-drejtori tashmë mësohet se ka dhënë dorëheqjen. Gjithçka është bërë zyrtare gjatë së hënës. Në këto dy vite drejtimi i OSHEE njësia Shkodër nuk ka qenë një sfidë e lehtë për Andi Hallunin. Në fushatën elektoralë të 2013-ës për zgjedhjet parlamentare ishte ndër më aktivët.

Pasi koalicioni i majtë fitoi zgjedhjet pak kohë më pas në nëntor të 2013-ës Halluni do të emërohej si drejtor i OSHEE duke zëvendësuar në atë kohë Altin Salihin. Edhe pse debatet nuk kanë qenë të pakta ashtu si edhe akuzat për OSHEE-në, Halluni ka arritur t’i kapërcejë për dy vite me radhë, ndryshe nga disa drejtorë të tjerë të PS apo LSI të cilët janë shkarkuar apo dorëhequr në këto dy vite e gjysëm. Halluni do të përforcohej edhe politikisht teksa në fillim të korrikut të 2014-ës pas shkarkimit që Edi Rama i bëri kryetarit të PS në atë kohë Luan Heta, do të komandohej në atë post, pozicion të cilin e mban ende sot. Shumëçka në raportet politike por edhe si drejtor i OSHEE ndryshuan kur nga grupi parlamentar i PS u përjashtua deputeti Tom Doshi. Halluni ishte krahu i djathtë i deputetit Doshi dhe dolën sëbashku në 2 marsin e 2015-ës pas mbledhjes që zhvilloi grupi socialist. Në raport me një grup tjetër socialistësh, Halluni do shihej ndryshe si kryetar i PS, gjë e cila është deklaruar edhe publikisht në mbledhjet që kjo forcë politike ka zhvilluar në Shkodër. Pavarësisht kësaj për 9 muaj e gjysëm arriti që ta mbajë postin si drejtor i OSHEE edhe pse gjithnjë i etiketuar nga të tijët. Kjo mund ta nxisë Hallunin për të hedhur kandidaturën sërish për kryetar të PS në riorganizimin e ri. Ai që pritet ta zëvendësojë si drejtor i OSHEE njësia Shkodër, është ish-kryetari i komunës Rrethina Luan Harusha dhe koordinator i PS në zgjedhjet lokale të 2015-ës. Ajo që ka mbetur është vetëm prezantimi sepse prej kohësh Harusha është projektuar si drejtori i ri i OSHEE Shkodër