Për 3 ditë me radhë në datat 18, 19 dhe 20 dhjetor bashkia Shkodër zhvilloi takimet konsultative për paketën fiskale e cila pritet që të miratohet brenda këtij viti në këto ditë që kanë mbetur. Në këto takime me 5 rajonet e Shkodrës kanë marrë pjesë qytetarë dhe të interesuar për politikat fiskale dhe taksat e bashkisë. Ato që kanë munguar kanë qenë anëtarët e këshillit bashkiak të Shkodrës.

Në fakt duhej të ishin të parët por 80% e tyre nuk kanë shfaqur aspak interes dhe nuk kanë marrë pjesë. Të paktë janë ata që kanë qenë prezent në këto takime konsultative sepse nuk janë më shumë se 10 anëtar këshilli ndërkohë që në total janë 51 të tillë. Ashtu si përfaqësues të tjerë të komunitetit edhe anëtarët e këshillit bashkiak kanë qenë të ftuar për të marrë pjesë dhe për të diskutuar por kanë shfaqur mungesë dëshire. Mungesa e interesit dhe dëshirës nuk tregon gjë tjetër veçse vërteton sërish se pjesa më e madhe e anëtarëve të këshillit bashkiak nuk kanë fare përgjegjësi për votën që kanë marrë nga qytetarët e tyre. Logjikisht ose ashtu siç ndodh në çdo vend të botës perëndimore, anëtarët e këshillit duhej të ishin ata që të bënin oponencën ndaj bashkisë Shkodër për paketën fiskale dhe politikat e taksave. Janë votuar nga qytetarët e madje kanë bërë premtime nga më të ndryshmet por siç zakonisht gjithçka ka mbetur aty pas përfundimit të fushatës dhe tashmë interesi për qytetarët që i kanë votuar është zero dhe këtë e tregon mungesa e tyre në një prej diskutimeve më të rëndësishme siç është paketa fiskale. Nga ana tjetër mosprania e këshilltarëve na bën të qartë se nuk është gjë tjetër veçse një tempull ku ndahen interesat personale të tyre apo ku përftohen kredot politike apo edhe ku gatuhen pazaret që 5 herë radhazi na e kanë servirur deri tani gjoja me votimet e fshehta.