
Të paktën tre persona kanë humbur jetën, ndërsa gjashtë të tjerë janë shpëtuar, pasi një anije mallrash me flamur të Liberisë dhe e operuar nga Greqia, Eternity C, u sulmua dhe më pas u fundos në Detin e Kuq nga grupi i armatosur Houthi i Jemenit, njofton një mision detar i Bashkimit Europian.
Sipas agjencisë UK Maritime Trade Operations (UKMTO), anija po transportonte 25 anëtarë ekuipazhi kur u godit rëndë nga granata të lëshuara nga varka të vogla të Houthive të hënën. Sulmet vazhduan edhe të martën, duke e lënë anijen pa lëvizshmëri dhe duke e dëmtuar rëndë, para se të fundosej.
Sipas Operacionit Aspides, misionit detar të BE-së në Detin e Kuq, gjashtë marinarë janë shpëtuar nga uji, përkatësisht pesë filipinas dhe një indian, ndërsa 19 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Autoritetet filipinase konfirmuan se 21 nga anëtarët e ekuipazhit ishin shtetas të Filipineve, ndërsa një tjetër ishte shtetas rus, i cili ka mbetur i plagosur rëndë dhe ka humbur njërën këmbë.
Grupi Houthi, i cili mbështetet nga Irani, mori përgjegjësinë për sulmin duke deklaruar se e goditën anijen Eternity C pasi ajo po shkonte drejt Izraelit. Ata pohuan gjithashtu se kanë marrë një numër të papërcaktuar të marinarëve në një “vend të sigurt”.






