
Kriza e krijuar rreth rregjistrimit të futbollistëve të rinj të Vllaznisë për ndeshjet e UEFA Conference League duket se është drejt zgjidhjes. Pas shqetësimeve të ditëve të fundit, tashmë ka mbërritur konfirmimi për marrjen e pagesës së detyrimeve, ndërsa klubi shkodran pret vetëm heqjen zyrtare të bllokimit për të rregjistruar afrimet e reja. Burime pranë klubit bëjnë të ditur për “Star Plus” se të gjitha detyrimet janë shlyer dhe tashmë gjithçka varet nga përfundimi i procedurave administrative.
Drejtuesit e Vllaznisë kanë qenë në kontakte të vazhdueshme me institucionet përkatëse, me synimin që procesi të mbyllet sa më shpejt. Nëse bllokimi hiqet brenda afatit, kuqeblutë do të kenë mundësi të federojnë edhe futbollistët e afruar gjatë merkatos së verës, duke i vënë ata në dispozicion të trajnerit Edi Martini për përballjen e parë ndaj Malishevës në turin e parë kualifikues të UEFA Conference League. Në të kundërt, Vllaznia do ta plotësojë listën me futbollistë të dalë nga Akademia, të cilët kanë qenë pjesë e fazës përgatitore në Slloveni dhe janë gati për të dhënë kontributin e tyre në arenën europiane.






