Dy prej lojtarëve, që u mendua se do të mungonin në ndeshjen, ndaj Kukësit, mbrojtësi Antonio Marku dhe mesfushori Florind Bardulla, i kanë lënë pas problemet shëndetësore që kanë patur.

Ata pritet të jenë të gatshëm për stafin teknik kuqeblu. Nëse i pari nuk është projektuar për formacionin titullar, por do të jetë i gatshëm në stol, ngaqë ka munguar në jo pak seanca, për të dytin është më ndryshe. Ai pritet ta nisë takimin me kuksianët nga minuta e parë në fushë. Kjo edhe ngaqë trajneri Cungu nuk ka shumë alternativa në dispozicion për qendrën e mesfushës. Kuptohet që gjërat në njëfarë mënyre janë rregulluar me rikuperimin e këtyre dy futbollistëve, sepse shtohen alternativat në dispozicion të stafit teknik. I vetmi, e sigurtë se do të mungojë, është mesfushori tjetër, Arlind Kalaja, i cili nuk është rikuperuar dot nga dëmtimi që mori në kavilje në miqësoren me Besëlidhjen. Stafi mjekësor ka punuar gjatë këtyre ditëve me të, por në fund është dalë në konkluzionin që të mos rrezikohet. Ai do të bëhet gati për sfidën e së mërkurës, në Kupë me Teutën. Takimi i sotëm konsiderohet shumë i rëndësishëm dhe për këtë arsye, Vllaznia do të hyjë me qëllimin e vetëm në fushë, për të marrë me çdo kusht pikë, pavarësisht se edhe kryesuesit e kampionatit të njëjtin objektiv do të kenë.

Artikulli paraprakKUR “BASHKOHEN” IDROMENO DHE MARUBI…
Artikulli tjetërGORBAÇOV: BOTA PO PËRGATITET PËR LUFTË