Pas një beteje disa mujore në seancat gjyqësore Albana Llazani, ish-drejtorja e shtëpisë së fëmijës shkollore 6-18 vjeç në Shkodër ka arritur që të lërë qelinë e burgut të grave në Tiranë.

Gjykata e Apelit në Shkodër ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Albana Llazanin duke e lehtësuar nga “arrest me burg”. Para afro 8 muajsh kur u bë arrestimi i saj pas akuzave nga prokuroria dhe avokati i popullit për abuzim seksual dhe dhunë me fëmijët, ish-drejtorja Llazani u arrestua së bashku me 4 punonjëse të tjera. Të dy gjykatat, ajo e shkallës së parë dhe e apelit vendosën para 8 muajve masën e sigurisë “arrest me burg”. Kjo çështje nga pala mbrojtëse shkoi edhe njëherë në shkallën e parë duke kërkuar ndryshim të masës së sigurisë. Në seancën e 11 janarit të këtij viti gjykata e shkallës së parë nuk pranoi ndryshimin e masës së sigurisë duke e lënë ish-drejtoren Llazani sërish në “arrest me burg”.

Pala mbrojtëse apeloi sërish në gjykatën e apelit dhe kjo e fundit pasi ka rishqyrtuar pretendimet e prokurorisë dhe avokatit mbrojtës por edhe pasi ka dëgjuar vetë ish-drejtoreshën në sallën e gjyqit, ka vendosur që të lehtësojë masën e sigurisë duke vendosur “arrest shtëpie” dhe duke bërë që momentalisht të lërë qelinë e burgut ku ndodhej prej 8 muajsh. Në seancën gjyqësore Llazani ka deklaruar se ajo nuk ka keqtrajtuar asnjëherë fëmijët rezidentë të shtëpisë së fëmijës shkollore dhe po ashtu se nuk ka qenë në dijeni të abuzimeve seksuale që mund të kenë ndodhur me ata. Po ashtu ish-drejtorja ka hedhur poshtë çdo akuzë në lidhje me djalin e saj 16-vjeçar duke thënë se sëmundja e tij nuk i jep asnjë mundësi për të abuzuar seksualisht me fëmijët dhe kjo është e vërtetuar edhe përmes dokumenteve mjekësore. Llazani ka deklaruar përpara gjykatës së është e pafajshme dhe se e gjithë kjo që ka ndodhur ndaj saj në këto 8 muaj është e padrejtë ndërsa prokuroria kërkoi lënien në fuqi të masës së sigurisë “arrest me burg”.

Më përpara gjyqi për Albana Llazanin në shkallën e parë është shtyrë rreth 8 herë për të ardhur deri në seancën e 11 janarit në shkallën e parë. Pas vendimit të gjykatës së apelit “arrest shtëpie” me 3 shkurt, për Albana Llazanin do të ketë sërish të tjera seanca derisa të merret një vendim i formës së prerë.