Apeli, ‘Hakmarrja për Drejtësi” e pafajshme: Akuzat pa baza

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda jep pafajësi për gjithë personat e konsideruar si anëtarë të organizatës ‘Hakmarrje për Drejtësi”. Orik Shyti, Altin Arapi, Gentian Caka, Nikolin Norvruzaj, Roland Shyti, Leart Shyti, Kreshnik Dëfrim Spahiu, Pasho Novruzaj, Gëzim Gjoni e Dritan Hate, nuk do të jenë më të pandehur pas vendimit që përcaktoi sot Apeli i Krimeve të Rënda. Përfundon keshtu kalvari prej 20 vitesh i hetimeve dhe proceseve gjyqësore ndaj tyre. Akuzat e ngritura ndaj kësaj organizate u lidhën me ngjarje të rënda si vendosja e bombës tek supermarketi i VEFA pranë 9-katësheve, vrasja e ish-drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi, vjedhje të bankave dhe arkave të shtetit, rrëmbim dhe disa vrasje e tentativa vrasjesh të tjera. Sipas trupit gjykues të Gjykatës së Apelit, akuzat që rëndonin mbi 10 personat janë të pabazuara me prova dhe si pasojë nuk qëndrojnë. Me këtë vendim të Apelit të Krimeve të Rënda, personat e konsideruar si anëtarë të “Hakmarrja për Drejtësi” janë të lirë të kthehen në atdhe. Madje pas këtij vendimi pafajësie, juridikisht të gjithë këtyre personave u lind e drejta për të kërkuar dëmshpërblim financiar për ditët e arratisë por dhe ato të qëndrimit në burg. Por , burime pranë Prokurorisë së Apelit për Krimeve të Rënda, nuk janë pajtuar me vendimin e dhënë ditën e sotme nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda. Pesë gjyqtarët që dhanë pafajësi për 10 anëtarët e organizatës kriminale “Hakmarja për Drejtësi”, janë caktuar me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Mbi ‘Hakmarrja ne Drejtesi’ Organizata “Hakmarrje për Drejtësi” u shpall publikisht në 13 tetor 1996, por dyshohet se ajo ishte krijuar në 1994 në qytetin e Durrësit. Dy themeluesit e saj u konsideruar vëllezërit Leart Shyti dhe Orik Shyti, të cilët kanë status të azilantit politik në Belgjikë. Si anëtarë të saj u cilësuan edhe: Altin Arapi, Pasho Novruzi, Dritan Hate, Gëzim Gjoni, Gentian Haka, Nikolin Novruzi, Roland Shyti, Kreshnik Spahiu dhe Altin Arapi. Seanca e parë gjyqësore në ngarkim të pjesëtarëve të organizatës “Hakmarrja për Drejtësi” filloi në 24 dhjetor 1998. Dhjetë të pandehurit u larguan jashtë shtetit që nga dita që ata u arratisën nga burgjet në vitin 1997. Orik e Laert Shyti, bijte e Aredin Shytit Orik dhe Laerft Shyti janë bijtë Aredin Shytit, njëri prej figurave më të rëndësishme të ministrisë së Brendshme në diktaturën komuniste dhe në qeverisjen e ish-kryeministrit Fatos Nano në vitin 1991. Te 10 personat kanë qenë banorë të qytetit të Tiranës dhe të Vlorës me lidhje gjaku apo me marrëdhënie të ngushta shoqërore me njëri-tjetrin. Kështu të gjykuarit Orik dhe Leart janë vëllezër, i gjykuari Altin është djali i dajës i Enkeledi Agaj (tashmë i vdekur) shok shkolle me Kreshnik Spahiajn, të gjykuarit Nikolin dhe Pasho Novruzaj janë vëllezër, Nikolin Novruzaj shok shkolle me Altinin dhe kunat me Dritan Hate. Çështja penale në ngarkim të tyre, është sjellë për gjykim prej Prokurorisë për Krime të Rënda, më datë 14 shtator 2004, duke u akuzuar të gjykuarit për veprat e renditura në pjesën hyrëse të vendimit. Të gjykuarit akuzohen për 17 episode kriminale të ndodhura kryesisht në qytetin e Tiranës dhe të Vlorës në harkun kohor të viteve 1993-1996. Për këto episode kriminale fillimisht janë regjistruar procedimet përkatëse në rrethet gjyqësore Tiranë e Vlorë dhe më datë 24 tetor 1996 nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë janë bashkuar në një procedim të vetëm. Nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ky procedim është përcjellë për gjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe regjistruar pranë kësaj gjykate më datë 13 nëntor 1998. Gjykata e Tiranës me vendimin nr.106 datë 12 shkurt 2003 pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, ka vendosur pushimin e çështjes në ngarkim të të pandehurve dhe heqjen e masave të sigurimit personal ndaj tyre. Më pas kjo çështje u inicua sërisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në vitin 2004. Por me përjashtim të të gjykuarve Gëzim Gjoni dhe Dritan Hate të gjykuarit e tjerë janë gjykuar në mungesë të tyre, me mbrojtës të zgjedhur shpesh herë kryesisht nga vetë gjykata dhe prokuroria. Kjo pasi gjatë vitit 1997 pjesa më e madhe e tyre janë larguar nga Burgu, duke kërkuar strehim politik në Belgjikë, Gjermani dhe Hollandë. AKUZAT Për vjedhjen e degës së Bankës së Kursimeve, Tiranë, më datë 29.01.1993, në shumën rreth 30 (tridhjetë) milion lek në valutë të ndryshme. -Për vjedhjen me pasojë vdekjen në dëm të shtetasit Sami Jata, më datë 15.12.1993, të ndodhur në Tiranë. -Për vjedhjen me dhunë më datë 12.08.1994 të pikës së karburantit “Shkumbini petrol”. -Për vjedhjen me dhunë, më datë 12.10.1994, të një shumë prej 53.000 (pesëdhjetë e tre mijë) USD në dëm të firmës së shitjes së karburanteve “Iap”, tiranë -Për vjedhjen me armë, më datë 07.12.1994, të një shume prej 3500 (tremijë e pesëqind) usd, në dëm të firmës private të shitjes së karburanteve “IAP”, Tiranë, si dhe për vrasjen me dashje të mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Eduart Trimi. -Për vjedhjen e firmës Gjallica, Vlorë me pasojë vdekjen e shtetasit Pali Prendi, më datë 13.12.1994, në shumën prej 2.4 (dy pikë katër) milion lekë. -Për vjedhjen me dhunë, më datë 14.01.1995 të një shumë prej 576.377 (pesëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e treqind e shtatëdhjetë e shtatë) lekë, në dëm të argjendarisë “Agron”. -Për vjedhjen e degës së Bankës së Kursimeve, Vlorë, më datë 20.01.1995, në shumën rreth 2.539.500 (dy milionë e pesëqind e tridhjetë e nëntë mijë e pesëqind) lekë -Për vjedhjen me armë, të shumës prej 155.061 (njëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e gjashtëdhjetë e një) lekë më datë 21.02.1995, në degën INSIG tiranë -Për vjedhjen me dhunë, më datë 03.03.1995, në dëm të ndërmarrjes së lëndës djegëse tiranë, të një shumë prej rreth 430.000 (katërqind e tridhjetë mijë) lekë -Për vjedhjen me pasojë vdekjen e shtetasit Pirro Konini, më datë 12.04.1995, në shumën, rreth 18 (tetëmbëdhjetë) milion lekë. -Për vjedhjen me dhunë, të shumës prej 941.000 (nëntëqind e dyzet e një mijë) lekë më datë 15.06.1995, në dëm të firmës “Albfoam” në tiranë. -Për rrëmbimin e mbajtjen peng në rrethana lehtësuese në dëm të fëmijës Erion Nushi, të ndodhur në Riranë, më datë 31.10.1995, për të fituar shumën 200.000 (dyqind mijë) USD -Për vjedhjen me armë të ish filialit të firmës VEFA, Vlorë më datë 12.01.1996, në shumën 145.000 (njëqind e dyzet e pesë mijë) usd. -Për shpërthimin e një sasie tritoli pranë ish Supermaketit Vefa, në Tiranë, datë 26.02.1996. -Për vjedhjen me armë të degës së bankës kombëtare Vlorë, në shumën rreth 2.170.000 (dy milion e njëqind e shtatëdhjetë mijë) lekë, datë 18.04.1996. -Për vrasje për shkak të detyrës së shtetasit Bujar Xhevdet Kaloshi, ish-drejtor i përgjithshëm i burgjeve më datë 26.07.1996. Dënimet e dhëna nga Gjykata e Krimeve të Rënda Për gjithë këto akuza në vitin 1 Korrik të vitit 2008, Gjykata e Krimeve të Rënda dha këto vendime: Orik Aredin Shyti burgim të përjetshëm Altin Dolor Arapi burgim të përjetshëm Gentian Enver Çaka 25 vjet burgim Nikolin Agim Novruzaj 24 vjet burgim Roland Sulejman Shyti 25 vjet burgim Leart Aredin Shyti 24 vjet burgim Kreshnik Dëfrim Spahiu 24 vjet burgim Pasho Agim Novruzaj 22 vjet burgim Gëzim Sali Gjoni 10 vjet burgim Dritan Dylber Hate 23 vjet burgim Të gjitha argumentat e Gjykatës së Lartë për kthimin e dosjes në rigjykim Në mars të vitit 2016 Gjykata e Lartë riktheu çështjen për gjykim.

Artikulli paraprakAKSIDENTI NË AKSIN RRUGOR SHKODËR-VAU DEJËS,HUMB JETEN 49 VJEÇARI
Artikulli tjetërKAPET HEROINË NË NJË MAKINË, NË PRANGA BABË E BIR