
Vrau fqinjin me thikë kuzhine, Apeli i Romës i përgjysmon burgun shqiptarit të dënuar me 30 vjet
Nga 30 vjet, në 16 vjet e 8 muaj. Ky ishte vendimi i shqiptuar dhe nga Gjykata e Apelit në Romë për vrasjen e Francesco Maria Pennacchit, tregtari i vrarë nga Lorenc Prifti, furrtar 45-vjeçar nga Shqipëria, natën midis 26 e 27 nëntorit 2015. Krimi u krye në studion tregtare të viktimës, 32 vjeç. Një dënim i përgjysmuar për Priftin, i cili nëntorin e vitit të kaluar u dënua me 30 vjet burg nga Gjykata e Velletrit, e cila e deklaroi fajtor për “vrasje të qëllimshme për motive të dobta”. Dje pasdite, gjyqtarët e apelit ia reduktuan dënimin në 16 vjet e 8 muaj, duke i njohur rrethana lehtësuese. Vrasja e Francesco Maria Pennacchit ndodhi në një pallat në via dei Volsci në Velletri, natën e 27 nëntorit, dy vjet më parë. Një vrasje brutale që ndodhi brenda godinës ku tregtari kishte zyrën e tij, ndërsa furrtari apartamentin, ku jetonte bashkë me gruan. Prifti e goditi italianin me thikë kuzhine pas debatit për shkak të një feste të zgjatur në zyrën e Pennacchit. “Një përqafim vdekjeje”, siç e përcaktoi e fejuara e Pennacchit, që furrtari i dha tregtarit sapo ky doli nga zyra ku ishte bashkë me dy miq për të marrë një kompjuter. Francesco Maria Pennacchi vdiq pak pas transportimit me urgjencë në Spitalin e Velletrit. Apeli ia uli dënimin furrtarit shqiptar pavarësisht protestave para gjykatës për të ruajtur të paprekur vendimin e shkallës së parë, organizuar nga Unioni Kombëtar i Viktimave.






