Ish-kreu i KED-së, Ardian Dvorani kërkon rikthimin si anëtar në këtë institucion vetëm dy muaj pasi KLGJ-ja vendosi përfundimin e mandatit të tij. Në një letër drejtuar Vitore Tushës, që aktualisht drejton mbledhjet e KED-së, pas largimit të tij, Dvorani jep argumentet e tij se përse duhet të rikthehet në Këshill deri në fund të vitit, kur mbaron mandati i anëtarëve të këtij institucioni të rëndësishëm të reformës në drejtësi.

Ardian Dvorani, aktualisht gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit shkruan se ligji nuk e ka parashikuar që një anëtari i mbaron mandati kur gjatë vitit kalendarik ndryshon funksionin të cilin kanë pasur në momentin e hedhjes së shortit nga Presidenti i Republikës, duke u caktuar në funksione të tjera. Edhe në këtë rast, ai deklaron se pavarësisht se KLGJ-ja vendosi mbarimin e mandatit të tij, ai duhet të rikthehet në KED si anëtar deri në fund të vitit.

“Nuk ka asnjë rregullim konkret dhe të shprehur edhe në këtë ligj, në lidhje me rastet kur anëtarë dhe anëtarë zëvendësues të KED, ndryshojnë funksionin të cilin kanë pasur në momentin e realizimit të shortit. Kushtetuta përmban vetëm një ndalim të shprehur për t’u përfshirë në short dhe që është ai që ndaj kandidatit të mos jetë dhënë masë disiplinore” thotë ai. Për këtë arsye, Dvorani kërkon nga KED që të shprehet për kërkesën e tij.

Por si lindi debati? Presidenti Ilir Meta kërkoi largimin e Ardian Dvoranit nga detyra me argumentin se pas zgjedhjes së tre anëtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë në mars të këtij viti, atij i kishte mbaruar detyrimi kushtetues për të qëndruar më në detyrë.

Në luftën e ftohtë mes KED-së së drejtuar nga Dvorani dhe Presidentit, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të marrë një mendim nga EURALIUS dhe OPDAT. Por si EURALIUS dhe OPDAT refuzuan të japin opinion në lidhje me rastin e mandatit të Ardian Dvoranit. KLGJ vendosi mbarimin e mandatit të Dvoranit dhe emërimin në Apelin Administrativ, ndërsa beteja vijon…