
Ardit Mani është trajneri i ri i KF Shiroka. Prezantimi është bërë nga drejtori sportiv Matias Tatangelo. Në këtë mënyrë, trajneri i njohur shkodran do të nisë një aventurë të re në krye të skuadrës së Shirokës, që për të dytin sezon merr pjesë në Kategorinë e Tretë. Megjithatë, përveç Manit, janë bërë të ditur edhe emrat e pjesëtarëve të tjerë të stafit teknik. Njoftimi për emërimin e tyre është bërë përmes faqes zyrtare të këtij klubi, ku shkruhet:
“KF Shiroka ka kënaqësinë të njoftojë emërimin e Ardit Manit si trajnerin e ri të ekipit të parë. Me një vizion të qartë për të ardhmen dhe një dëshirë të madhe për të sjellë mentalitet fitues në skuadër, Ardit Mani do të udhëheqë ekipin në sezonin e ardhshëm, duke sjellë profesionalizëm, përkushtim dhe pasion për lojën. Së bashku me të, pjesë e stafit teknik do të jenë: Oltion Drabeja – Zëvendës trajner
Ervin Buca – Përgatitës atletik
Bujar Celufaj – Trajner portierësh.”
Pak ditë më parë, KF Shiroka prezantoi si drejtor teknik edhe argjentinasin Matias Tatangelo. Ndërkohë, në ditët në vijim, skuadra shkodrane pritet të zyrtarizojë edhe afrimet e para të disa futbollistëve, me të cilët sezonin e ardhshëm do të synojë të realizojë objektivin e saj, që është ngjitja në Kategorinë e Dytë.






