Kombëtarja shqiptare e futbollit e nisi fushatën e Europianit 2024 me humbje kundër Polonisë në transfertë (1-0). Në lidhje me këtë rezultat dhe objektivin kualifikim, kreu i FSHF-së Armand Duka ia ka bërë të qartë stafit dhe futbollistëve kuqezinj se koha e humbjeve dinjitoze ka marrë fund. Në një bisedë për faqen e federatës, Duka ka kërkuar maksimumin në dy ndeshjet e qershorit kundër Moldavisë (17) dhe Ishujve Faroe (20).
” E nisëm këtë rrugëtim kualifikues ndaj skuadrës së renditur si kokë grupi. Sigurisht që e dinim që do të ishte një ndeshje e fortë por ne kishim përgatitur gjithҫka për të dalë me një rezultat pozitiv nga kjo transfertë. Për lojën e zhvilluar dhe atë që dhamë në fushën e lojës duhet të kishim marrë diҫka më shumë por kjo nuk ndodhi. I përgëzoj lojtarët, ashtu si edhe stafin teknik për impenjimin e treguar por koha e humbjeve dinjitoze është e tejkaluar dhe ne kurrësesi nuk mund të kënaqemi me një humbje të tillë. Duhet të rritemi, të punojmë më shumë dhe të jemi më me këmbë në tokë. Duhet ta kuptojmë të gjithë, ne, ekipi e stafi drejtues që kemi humbur në Varshavë”, tha fillimisht kreu i FSHF-së.
Duka e ka të qartë se në rast të dështimit në dy ndeshjet e radhës kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe, objektivi nuk është i realizueshëm.
“Qershori na rikthen në shtëpi me ndeshjen ndaj Moldavisë dhe transfertën e Ishujve Faroe. Dy ndeshje shumë shumë të vështira. Do të kemi përballë një Moldavi krejt tjetër nga ajo e tre viteve më parë, kjo u pa edhe në ndeshjen që ato luajtën me Republikën Ҫeke. Janë shumë të organizuar, një skuadër e vendosur mirë në fushë dhe shumë të kujdesshëm.
Duhet të zbresim në fushën e lojës të karikuar për të arritur fitoren. E njëjtë edhe për transfertën e Torshavnit, është një nga kundërshtarët më të vështirë në fushën e tyre. Moldavia e tregoi forcën e vet ndaj Ҫekisë ashtu si Ishujt Faroe pak muaj më parë kur mundën Turqinë në shtëpi. Intensiteti, përkushtimi dhe përqendrimi do duhet të jenë maksimal. Dy ndeshjet e qershorit janë më të rëndësishmet për ne. Nëse gabojmë largohemi nga objektivi”, tha Duka, që përsëriti se objektivi është kualifikimi në Europianin 2024 që do zhvillohet në Gjermani.