Arqipeshkvi Metropolit i Shkodër-Pultit, Imzot Giovanni Peragine, ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e Festës së Shenjtë të Kurban Bajramit, drejtuar Myftiut të Zonës së Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, si dhe gjithë besimtarëve myslimanë.

Në mesazhin e tij, Imzot Peragine thekson rëndësinë shpirtërore të kësaj feste, duke e cilësuar Kurban Bajramin si një dëshmi të besimit, sakrificës dhe mëshirës hyjnore. Ai ndalet te figura e Abrahamit, “atit të besimit”, si simbol i bindjes ndaj Zotit dhe i dashurisë ndaj tjetrit.

Arqipeshkvi vlerëson gjithashtu traditën shqiptare të bashkëjetesës dhe respektit ndërfetar, duke nënvizuar se besimi në Hyjin duhet të shërbejë si urë bashkimi, paqeje dhe mirëkuptimi mes njerëzve.

“Në këtë ditë të shenjtë, lutem që Hyji të bekojë çdo familje, të forcojë zemrat e atyre që vuajnë, të dhurojë paqe aty ku ka konflikt dhe të mbushë popullin tonë me shpresë, harmoni dhe dashuri vëllazërore”, shprehet ndër të tjera Imzot Giovanni Peragine në urimin e tij.

Në përfundim të mesazhit, ai uron të gjithë besimtarët myslimanë me fjalët: “Gëzuar Festën e Kurban Bajramit!”.

 

POSTIMII PLOTË

Fort i nderuar, Imam Muhamed Sytari, Myfti i Zonës së Shkodrës,
Fort të dashur vëllezër dhe motra myslimane,

Në kremtimin e Festës së Shenjtë të Kurban Bajramit, dëshiroj t’Ju përcjell urimet e mia më të përzemërta e vëllazërore, duke lutur Hyjin e Gjithëmëshirshëm që, në këtë ditë të bekuar, të zbresë paqe mbi familjet Tuaja, mbi vendin tonë dhe mbi mbarë njerëzimin.

Kjo festë e madhe e besimit na rikthen para figurës madhështore të Abrahamit, atit të besimit, i cili në bindje të plotë ndaj Hyjit pranoi rrugën e sakrificës, duke dëshmuar se besimi i vërtetë lind aty ku zemra e njeriut i hapet plotësisht vullnetit të Zotit. Në këtë akt të lartë shpirtëror, njerëzimi sheh jo vetëm provën e besimit, por edhe triumfin e mëshirës hyjnore mbi frikën dhe pasigurinë njerëzore.

Sot, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për këtë dëshmi besimi, për njerëz që ndërtojnë ura e jo mure, që mbjellin paqe e jo përçarje, që zgjedhin dialogun, respektin dhe dashurinë vëllazërore. Kurban Bajrami na kujton se sakrifica merr kuptim të vërtetë vetëm kur shndërrohet në dashuri ndaj tjetrit, në kujdes për të varfrit, në afërsi me ata që vuajnë dhe në shpresë për ata që ndihen të harruar.

Shqipëria jonë, e bekuar me traditën e bashkëjetesës dhe respektit ndërfetar, mbetet një dëshmi e çmuar për botën se besimi në Hyjin nuk na ndan, por na thërret të ecim së bashku në dinjitet, paqe dhe mirëkuptim.

Në këtë ditë të shenjtë, lutem që Hyji të bekojë çdo familje, të forcojë zemrat e atyre që vuajnë, të dhurojë paqe aty ku ka konflikt dhe të mbushë popullin tonë me shpresë, harmoni dhe dashuri vëllazërore.

Me respekt e afërsi shpirtërore,
Ju uroj nga zemra:

Gëzuar Festën e Kurban Bajramit!

* Giovanni Peragine
Argjipeshkëv Metropolit
Shkodër-Pult

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakPRESIDENTI BEGAJ URON BESIMTARËT DHE NDAN PAMJET NGA MEKA: ZOTI SJELLTË PAQE, MIRËSI DHE BEGATI NË ÇDO VATËR SHQIPTARE
Artikulli tjetërBERISHA MESAZH URIMI PËR KURBAN BAJRAMIN: ZOTI E KTHEFTË ÇDO SAKRIFICË NË MBARËSI E GËZIM