
Me rastin e Festës së Shenjtë të Pashkës, Imzot Giovanni Peragine ka përcjellë një mesazh urimi drejtuar besimtarëve të Kishës Orthodokse, duke theksuar rëndësinë shpirtërore dhe simbolikën e kësaj dite të shenjtë.
Të dashur vëllezër dhe motra besimtarë të Kishës Ortodokse,
Me ndjenjë vëllazërie, me rastin e festës së shenjtë të Pashkës, kam gëzimin t’ju drejtoj urimet e mia më të përzemërta, duke ju uruar një kremtim të bekuar, të mbushur me dritën e Ngjalljes dhe me paqen e Krishtit të Gjallë.
Ngjallja e Zotit tonë Jezu Krisht mbetet ngjarja qendrore e historisë së shpëtimit, burimi i shpresës që nuk zhgënjen dhe themeli mbi të cilin ndërtohet besimi ynë. Në këtë mister të madh, ne sodisim fitoren e dashurisë mbi mëkatin, të jetës mbi vdekjen dhe të dritës mbi çdo errësirë që rëndon mbi zemrën e njeriut dhe mbi historinë e popujve.
Në këto ditë të shenjta, ndërsa ju kremtoni me solemnitet këtë mister të madh, bashkohem shpirtërisht me ju në lutje, duke i kërkuar Zotit të Ngjallur që të derdhë mbi secilin prej jush, mbi familjet tuaja dhe mbi bashkësitë tuaja, hirin e Tij të begatë, paqen që vjen prej Tij dhe gëzimin që vetëm Ai mund ta dhurojë.
Le të jetë kjo Pashkë një kohë e vërtetë ripërtëritjeje të brendshme, një thirrje për pajtim, për forcim të lidhjeve vëllazërore dhe për një dëshmi gjithnjë e më të gjallë të besimit në jetën e përditshme.
Në një botë që shpesh përjeton tensione, pasiguri dhe ndarje, dëshmia jonë e përbashkët për Krishtin e Ngjallur bëhet një shenjë e fuqishme shprese dhe një thirrje për paqe, drejtësi dhe bashkëjetesë.
Në frymën e respektit të ndërsjellë dhe të traditës së bukur të harmonisë fetare në vendin tonë, dëshiroj të theksoj se këto festa të shenjta janë edhe një mundësi për të thelluar më tej lidhjet e miqësisë, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet nesh, në shërbim të së mirës së përbashkët dhe të dinjitetit të çdo njeriu.
Duke ju uruar edhe një herë Gëzuar Pashkën, uroj që drita e Ngjalljes të ndriçojë shtëpitë tuaja, të forcojë familjet tuaja dhe të mbushë zemrat tuaja me gëzim, shpresë dhe dashuri.
Krishti u Ngjall! Vërtet u Ngjall!







