
Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat për Gjovalin Shkëmbin, xhaxhain e Elvis Shkëmbit, autorit të vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja.
Vendimi u mor pas kërkesës së Prokurorisë, pasi Gjovalin Shkëmbi kishte bërë deklarata publike në media, ku, sipas organit të akuzës, kanoste gjyqtarët që do të shqyrtonin çështjen e nipit të tij, duke thënë se “të njëjtin fat si gjyqtari do të kishte kushdo që do ta dënonte Elvis Shkëmbin”.
Ndaj tij rëndojnë akuzat për “Kanosje të gjyqtarit” dhe “Kanosje për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.
Pas deklaratës së dhënë në media, policia ndërhyri menjëherë, duke e arrestuar në banesën e tij në Shkodër.
Ndërkohë, familja e Gjovalin Shkëmbit ka reaguar përmes një deklarate për median, ku distancohet nga gjuha e përdorur dhe kërkon mirëkuptim për gjendjen emocionale në të cilën ndodhej ai në momentin e deklaratave.
Në reagim thuhet ndër të tjera:
“Pavarësisht se drejtësia nuk ka vendosur ende pikën përfundimtare mbi këtë çështje, ne nuk duam në asnjë mënyrë të përdorim gjuhë urrejtjeje ndaj personave që ushtrojnë detyrën e tyre dhe respektojmë proceset ligjore që po zhvillohen.
Jemi të vetëdijshëm se kërcënimet nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë, por kërkojmë mirëkuptim për gjendjen e rënduar emocionale dhe psikologjike në të cilën ndodhej babai ynë në ato momente.
Urojmë që drejtësia dhe qetësia të mbizotërojnë, dhe Zoti të bëjë atë që është më e mira për të gjithë.”
Deklarata mbyllet me kërkesën që mediat të shmangin përfshirjen e jetës private të familjes, duke theksuar se Gjovalin Shkëmbi është marrë në pyetje në një moment të vështirë emocional.


