Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Vasel Koçekun, 43 vjeç, dhe Klaudio Lisajn, 20 vjeç, të dyshuar si autorë të vrasjes së 20-vjeçarit Pavlin Preka. Ngjarja ka ndodhur më 20 shkurt të këtij viti në zonën e Gucisë së Re, njësia administrative Rrethina.
Vendimi u dha pas kërkesës së Prokurorisë së Shkodrës, e cila kërkoi masën më të rëndë të sigurisë ndaj dy të dyshuarve. Prokurori Albert Murçaj deklaroi se ndaj tyre ekzistojnë përgjime ambientale, një pjesë e të cilave vijojnë të jenë sekret hetimor dhe që, sipas organit të akuzës, përbëjnë bazë të fortë për dyshimet.
Mbrojtja ligjore e Koçekut dhe Lisajt kërkoi që të mos caktohej asnjë masë sigurie, duke argumentuar se mungojnë prova konkrete që i lidhin drejtpërdrejt me vrasjen. Avokatët Arbër Raja dhe Blerim Bazhdari theksuan se klientët e tyre janë të pafajshëm.
Gjatë seancës gjyqësore, të dy të dyshuarit mohuan çdo përfshirje në ngjarje, duke deklaruar se nuk kanë qenë në vendin e krimit dhe nuk kanë lidhje me vrasjen e Pavlin Prekës. Mohime të njëjta ata kanë bërë edhe gjatë marrjes në pyetje nga policia, si menjëherë pas ngjarjes, ashtu edhe rreth 10 muaj më pas.
Koçeku dhe Lisaj akuzohen për veprat penale “Vrasja me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Arrestimi i tyre u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Pesha e Krimit”.

Artikulli paraprakINSTAT PUBLIKON ECURINË E EKONOMISË NË TREMUJORIN E TRETË 2025
Artikulli tjetërPËRFUNDON RIKONSTRUKTIMI I ‘KINEMA REPUBLIKËS’ NË SHKODËR