Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka lënë në fuqi vendimin “arrest me burg” në rivlerësimin e masës së sigurisë për ish-drejtorin e ALUIZNIT në Shkodër Ardian Dodani.

I akuzuar për “shpërdorim detyre” në kohën kur ka drejtuar agjencinë e legalizimeve ish-drejtori Dodani u arrestua me 19 maj të këtij viti teksa gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”. Ai akuzohet për dhënien e disa lejeve të legalizimit në Shirokë në mënyrë ta parregullt. Në seancën e rivlerësimit të masës së sigurisë të drejtuar nga gjyqtarja Fildeze Elezi, avokati mbrojtës Sokol Dedndreaj ka deklaruar se klienti i tij nuk ka firmosur dhe nuk ka shkelur ligjin gjatë ushtrimit të detyrës së drejtor i ALUIZNIT. Po ashtu edhe vetë Dodani në seancën gjyqësore ka mohuar akuzat e organit të akuzës ndaj tij për legalizimet për të cilat akuzohet në zonën turistike të Shirokës. Megjithatë në fund gjyqtarja Elezi ka lënë në fuqi vendimin “arrest me burg” në rivlerësimin e masës së sigurisë. Seanca u zhvillua pa praninë e mediave teksa pala mbrojtëse kërkoi 10 minuta pushim për t’u njohur me të gjitha materialet gjë e cila u pranua nga prokurori Xhevahir Lita. Me 19 maj me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, gjykata vendosi “arrest në burg” për ish-drejtorin e ALUIZNI-t Ardian Dodani, i dyshuar se ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” në legalizimin e objekteve informale, kryesisht lokale dhe ambjente të tjera tregtare. Prokuroria pretendon se në të paktën 5 raste, kryesisht të vitit 2015, ish-drejtori Dodani, dyshohet se ka shkelur kuadrin ligjor që rregullon procesin e legalizimit të objekteve informale. Në praktikat e legalizimeve, të cilat janë sekuestruar në kuadër të hetimit, Prokuroria e Shkodrës ka evidentuar se, me firmën e Dodanit, janë legalizuar objekte tregtare (bar-restorante) pranë rrugëve kryesore ose në zonën turistike të Shirokës, në të cilën nuk lejohet legalizimi duke nënshkruar praktikat për këto subjekte, akuza këto të cilat sipas avokatit mbrojtës dhe vetë Dodanit nuk qëndrojnë duke pretenduar se ish-drejtori nuk ka firmosur.