Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Vladimir Gjutën, i arrestuar tre ditë më parë pranë selisë rozë, me rreth 180 mijë euro me vete dhe me një pistoletë me fishekë në gojë.

Avokati i Gjutës, Naim Gjutaj në përfundim të seancës gjyqësore, me dyer të mbyllura tha se klienti i tij nuk kishte për qëllim që t’i bënte atentat kryeministrit Edi Rama, por po thyente disa para të cilat i duheshin për të hapur një biznes në Shqipëri. Sa i përket shumës së madhe të lekëve që iu gjetën në çantën “Gucci”, avokati tha se i ka fituar me punën në Angli.

“S’ka lidhje t’i bënte atentat kryeministrit. Paratë i donte për t’i thyer sepse do hapte biznes me mallra amerikane. Lekët i ka fituar nga puna në Angli. Do ta ankimojmë masën e sigurisë dhe hetimet do të zbardhin të vërtetën”, tha avokati Naim Gjutaj.

Gjuta u arrestua 10 minuta para se të niste mbledhja e kryesisë së PS, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama. Ishin efektivët e Gardës së policisë, që arrestuan jashtë selisë së PS-së Vladimir Gjutën me një pistoletë me fishekë në gojë, një dorezë metalike dhe rreth 180 mijë euro me vete në një çantë firmato “Gucci”; më saktësisht 121.100 euro, 27.500 dollarë amerikanë, 22.970 paund anglez dhe 664.500 lekë të reja.

Po gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë sekuestruan edhe një automjet të blinduar autoveturë Audi A8, me të cilën qarkullonte. Ai akuzohet për veprat penale “Armëmbajtje pa leje”, “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Gjuta është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi më parë ka qenë arrestuar si i akuzuar për vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të ish- ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri më 10 shkurt 2015, por që në përfundim të hetimeve u lirua, pasi akuzat nuk u provuan. Vladimir Gjuta kishte kërcënuar ish-ministrin me një mesazh në numrin e tij personal. “Lëre të qetë familjen Gjuta, ndryshe do të kesh pasoja”, shkruhej në mesazhin pas të cilit Tahiri u mor në mbrojtje nga forcat RENEA.

Ndërsa disa kohë më pas, Gjuta u arrestua për dhunë ndaj babait të tij, duke thyer edhe masën e “arrestit shtëpiak”, por u lirua sepse familjarët nuk ngritën kallëzim penal. Vetëm një muaj më parë, pas një sherri i theu dhëmbët kushëririt të tij me çekiç dhe duke i lënë të dëmtuar njërin nga sytë.