SGS Automotive Albania mohon pretendimet e mediave për arrestimin e disa punonjësve të saj për korrupsion në qytetin e Shkodrës. 

SGS sqaron se asnjë nga personat e arrestuar nuk është punonjës i SGS Automotive Albania në Qendrën e Kontrollit Teknik Shkodër. Pak ditë më parë, mediat lokale të Shkodrës raportuan për disa persona të arrestuar, ndër ta edhe shoferë të cilët shisnin radhën për kolaudimin e automjeteve.  “Duke përshëndetur institucionet zbatuese të ligjit për punën e tyre në drejtim të luftës kundër korrupsionit, dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se asnjë nga personat e arrestuar në qytetin e Shkodrës nuk është punonjës i shoqërisë koncesionare SGS Automotive Albania SHPK. Informacioni i përçuar në media është i pasaktë dhe nuk asociohet kurrsesi me emrin e kompanisë SGS. Kompania nuk ka nën kontroll dhe nuk mban përgjegjësi për veprimet e paligjshme të qytetarëve dhe nuk toleron sjellje dhe aktivitete mashtruese. SGS Automotive Albania është dhe do të jetë gjithmonë e hapur për të bashkëpunuar me organet ligjore në mbrojtjen e interesit publik. Politikat e kompanisë tonë kanë në fokus sigurinë personale të qytetarëve dhe të familjeve të tyre dhe si e tillë mirëmbajtja e mirë e mjeteve është një domosdoshmëri absolute. Të gjitha automjetet që kanë kushtet teknike në përputhje me ligjin dhe normat në fuqi do të kalojnë testin e inspektimit. Ndërkohë që qytetarët të cilët marrin shërbimin e ofruar nga SGS, paguajnë vetëm vlerën e tarifës zyrtare të kontrollit teknik të automjeteve. SGS Automotive Albania u garanton te gjithë qytetarët se është e vendosur të zbatojë me rigorozitet Kodin e saj të Integritetit, dhe do të vijojë bashkëpunimin e saj të ngushtë me autoritetet shqiptare për të ndëshkuar çdo praktikë korruptive që cënon interesat e shtetit shqiptar dhe qytetarëve të tij”, thuhet në reagimin e SGS Automotive Albania.  SGS është kompania lider në botë në fushën e inspektimit, verifikimit, testimin dhe certifikimit. 

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakVELIPOJA, MENAXHIMI DHE RESURSET E SAJ
Artikulli tjetërPËRGATITORJA, VLLAZNIA E NIS ME FITORE MIQËSOREN E PARË