
Deputeti i PD Ervin Salianji, ka reaguar për vendimin e GJKKO, që caktoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Salianji u shpreh se arrestimi i Berishës nuk është lajm i mirë dhe se kjo e sotmja është ditë dëshpëruese për demokratët dhe opozitën. Ndër të tjera deputeti i PD-së tha se kufizimi i të drejtave politike shkel të drejtën kushtetuese për të ushtruar funksionin e deputetit dhe duket sikur pushteti gjyqësor i mbivendoset atij legjislativ.
Reagimi i plotë:
Që ditën e parë që jam angazhuar në politikë, kam kerkuar barazi para ligjit. Por, kthimi i heqjes së pandeshkueshmërisë si qëllim më vete, pa proces të pastër ligjor e kushtetues, e pa prova të qarta e transparente, mund të jetë po aq e rrezikshme sa ruajtja e pandeshkueshmërisë. Selektiviteti me i keq se të dyja bashkë. Që kur kam nisur të kem angazhim publik, kam shprehur si shqetësim themelor pandëshkueshmërinë, ka qënë pengesë thelbësore për vendin dhe të ardhmen e tij imuniteti i të fortëve ndaj ligjit! E mezipritur dita e renies së pandeshkueshmērisë. Udheheqësit dhe politikanët që bejnë çte duan vetë mbi ligjin e mbi të tjerët, perfitojnë e ndërkaq predikojnë të kundërtën e kesaj, janë padyshim e keqja e kësaj shoqërie. Nuk kam asnjë kompleks të them se arrestimi i Sali Berishës nuk është lajm i mirë e është ditë dëshpëruese për demokratët e për opozitën. Nga ana njerezore solidarizohem me të plotësisht.
Nxitimi dhe masa e sotme ndaj Sali Berishës është joproporcionale, kufizimi i të drejtave politike shkel të drejtën kushtetuese për te ushtruar funksionin e deputetit dhe duket sikur pushteti gjyqësor i mbivendoset atij legjislativ! Ky tejkalim i sensit të së drejtës përforcon perceptimin për drejtësi selektive.