Policia e Shtetit, përmes Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Operacionalja 75”, i cili çoi në kapjen dhe arrestimin e dy shtetasve të shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Operacioni u zhvillua në një terren të vështirë, në zonën e Fushë-Kuqes, pranë një banese në afërsi të lumit, ku shërbimet policore arritën të lokalizonin dhe neutralizonin dy personat në kërkim: A. Xh., 42 vjeç, banues në Fushë-Krujë, dhe E. M., 47 vjeç, banues në Mamurras. Të dy kishin masa sigurie “Arrest me burg”, të vendosura nga GJKKO, për veprat penale që lidhen me veprimtari në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, përfshirë:
• “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”;
• “Grup i strukturuar kriminal”;
• “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Gjatë kontrollit në banesë, forcat e posaçme gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri tip pistoletë, të mbajtura në çanta marsup, si dhe 2 armë gjahu, së bashku me municion luftarak të paautorizuar. Po ashtu, u sekuestruan 2 radio ndërlidhëse të ngjashme me ato të përdorura nga policia dhe një jelek antiplumb.

Artikulli paraprakPROKURORIA AKUZË PËR POLICIN DHE 3 PUNONJËS TË IMT
Artikulli tjetërTË VERBËRIT ENDE PAGUAJNË TRANSPORTIN PUBLIK