Arrestohet 26-vjeçari në kërkim ndërkombëtar

Një shtetas shqiptar 26-vjeçar është arrestuar prej policisë greke gjatë orëve në natës në pikën kufitare të Kakavijës. Sipas policisë greke, 26-vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet publik, u arrestua gjatë tentativës së tij për të kaluar në pikën kufitare të Kakavijes. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar prej autoriteteve angleze, nën akuzën e trafikut të klandestinëve. Sipas akuzës, 26-vjeçari dhe disa anëtarë të tjerë shqiptarë të organizatës që ai drejtonte trafikonin shtetas të ndryshem nga vendet e treta në drejtim të Britanisë, kundrejt shumave të mëdha të parave, të cilat llogariten në 1.500-3.000 euro për person. Një pjesë e organizatës u shkatërrua gjatë vitit të kaluar, kur edhe u arrestuan anëtarët e tjerë të saj, ndërsa 26-vjeçari ishte fshehur në Shqipëri. Përfitimet e kësaj organizate llogariten në qindra mijëra euro në vit, shumica e të cilave pastroheshin në Shqipëri në blerjen e pronave të patundshme. Ndërkohë, habi shkakton fakti se, edhe pse 26-vjeçari kaloi në mënyrë të rregullt kufirin shqiptar në Kakavijë, në pikën tonë të kufirit nuk u konstatua si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar. 26-vjeçari do të dërgohet në Gjykatën e Janinës, e cila do të nisë menjëherë procedurat e tij të ekstradimit në Britaninë e Madhe brenda muajit.