Arrestohet, 48 vjeçari  kosovar, i dha ryshfet policit

 Një shqiptar nga Prizreni u arrestua nga policia e Korçës, pasi tentoi të korruptonte një punonjës të policisë rrugore. Në pranga përfundoi Masar Braha, 48 vjeç, banues në Prizren. “Arrestimi i tij u bë pasi, ky shtetas duke drejtuar mjetin tip “Iveko” me targa 04934DT, në rrugën nacionale Korçë-Bilisht, pranë fshatit Cangonj, i ka ofruar punonjësit të Policisë Rrugore një shumë prej 500 lekë, për të shmangur masën administrative për mosvendosje të rripit të sigurimit”, sqaron policia. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale: “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.