Policia ka vënë në pranga një 26-vjeçar me detyrë doganier në Vermosh, pasi iu gjet në makinë një listë votuesish dhe një sasi e konsiderueshme parash.

Sipas policisë, Izmir Bushaj do shpërndante paratë me qëllim blerjen e votave një ditë përpara zgjedhjeve parlamentare. Në prangat e policisë ra edhe kushëriri i tij, Xhyher Bushaj i cili po e shoqëronte në ato momente. Doganieri 26-vjeçar rezulton përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim, pasi në rrjetet sociale ka postuar vazhdimisht foto nga fushata elektorale e kësaj force politike.

Sipas policisë, këta shtetas u arrestuan pasi brenda automjetit ku udhëtonin, tip Hunday me targa AA797 MK, u konstatua një listë votuesish si dhe një sasi e konsiderueshme parash të destinuara për t’i shpërndarë me qëllim blerjen e votës. “Kujtojmë se institucionet ligjzbatuese duke përfshirë edhe policinë u kanë bërë thirrje qytetarëve të denoncojnë rastet ku konstatohet shkelja e ligjit si dhe cenohet procesi zgjedhor”.

Mirëpo një vrojtim i shpejtë në Facebook-un e Bushajt zbulon se ai është militant i LSI-së, siç duket edhe nga fushata që bën. Ai poston foto nga fushata e kësaj force politike. Gjithashtu ai ka foto në Facebook edhe me ish-kryetarin e LSI, Ilir Meta. Kujtojme që pas ndryshimeve ne Kodin Penal, shitblerja e votës do të dënohet në mënyrë taksative nga 1 deri në 7 vite burg.

Nuk do të ketë masa ndëshkimore si gjoba por vetëm burg për ata që do të tentojnë tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve shqiptarë. Kjo vepër penale, do të jetë e paamnistueshme. Ndërkohë, burime pranë policisë së shtetit bëjnë të ditur se priten të tjera arrestime për shitblerjen e votave në orët në vijim. Policia ka skeduar disa persona, përfaqësues të partive politike dhe po i mban ata në monitorim për çdo lëvizje në drejtim të cenimit të procesit zgjedhor.

Artikulli paraprakFITER BAJRAMI, MYFTIU URON BESIMTARËT
Artikulli tjetër“ZGJEDHJET” POLICIA GATI PLANIN E MASAVE