
Efektivi i policisë vendore të Shkodrës Nënkomisar Shkelzen Gjoni, 55 vjeç është arrestuar nga Agjencia e Mbikqyrje Policore në bashkëpunim me prokurorinë e Shkodrës. Nënkomisar Gjoni ra në prangat e policisë pas disa videove të shfaqura në një emision investigative ku dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në një automjet që ndodhej në një lavazh si dhe në një moment tjetër shfaqet duke goditur me grushte dhe shkelma një të ri në një lokal në Shkodër. Fillimisht efektivi Gjoni u përjashtua nga drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Muhamet Rrumbullaku pas pamjeve të publikuara dhe më pas Agjencia e Mbikqyrjes Policore bëri të mundur të arrestimin e tij. Në njoftimin e saj AMP bën të ditur se “në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, në saj të një pune të përbashkët hetimore në funksion të procedimit penal regjistruar më datë 31.05.2023, është finalizuar me sukses dokumentimi ligjor i veprimtarisë së kundërligjshme të punonjësit të policisë Nënkomisar Shkëlzen Gjoni, 55 vjeç, me detyrë Specialist Rendi në Komisariatin e Policisë Shkodër.
Ndaj këtij punonjësi, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Shkodër ka nxjerrë urdhër ndalimi për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Kanosje”, në dëm të shtetasve me iniciale B. U. dhe A. B. Ky rast është publikuar në media më datë 01.06.2023. AMP fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit”, bën të ditur Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në njoftimin e saj. Në emisionin investigativ fillimisht Nënkomisari mohon dyshimet e ngritura ndaj tij dhe veprimet që shfaqen në video. Pavarësisht kësaj 55 vjeçari u arrestua si i dyshuar për tri vepra penale të ndryshme.


