Një agjent i trupës operacionale në Drejtorinë e Policisë së Tiranës është arrestuar pasi akuzohet se kanosi një shtetas me qëllim marrjen e 12 mijë eurove

 

Mbi bazën e hetimeve të kryera nga Drejtoria e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Tiranë, me kërkesë të Prokurorisë për Krimet e Rënda, Gjykata e Shkallës Parë për Krimet e Rënda vendosi masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, ndaj punonjësit të Policisë Inspektor Emiljan Prenga, me detyrë agjent i trupës operacionale, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Ministria e Brendshme informon: “Nga hetimi i zhvilluar nga ana e SHÇBA-së Tiranë, duke përdorur metoda speciale të hetimit u provua se punonjësi i Policisë Prenga duke shfrytëzuar edhe detyrën ka kanosur në mënyrë serioze për jetën një shtetas, me qëllim marrjen e një shume prej 12 mijë eurosh. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, regjistroi procedimin penal për veprën penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” të parashikuar nga neni 109/b të Kodit Penal. Nga ana e SHÇBA-së u bë ekzekutimi i masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për këtë punonjës policie për veprën penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Artikulli paraprakBASHA REAGON NDAJ POSTIMIT TE RAMES NE FACEBOOK
Artikulli tjetërZBARDHEN DETAJE NGA ARRESTIMET PER TERRORIZEM NE SHQIPERI