Një përmbarues gjyqësor është arrestuar nga policia e Tiranës me akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën. Në kuadër të operacionit të koduar “Debitori” në pranga u vu Fatos Alimadhi, 50 vjeç, banues në kryeqytet.

“Arrestimi i tij u bë pas një pune 7 mujore në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasi duke shpërdoruar detyrën ka përfituar nëpërmjet vjedhjes shumën prej 32.255 euro”, sqaron policia. Skema e vjedhjes Gjithashtu policia thotë se “Përmbaruesi gjyqësor i është shmangur hetimit duke zhdukur dosjen përmbarimore, në lidhje me shitjen e një apartamenti, ku në ankandin e dytë, në baze të ligjit duhet të shitej me vlerë 20% më i ulët se ankandi i pari, por ky apartament është shitur disa herë më ulët se kjo vlerë që para shikon ligji, duke bërë që përmbaruesi të përfitonte shumën prej 32.255 euro”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal.