Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur kompaninë fituese që do të mirëmbajë akset e veriut për 5 vitet e ardhshme.

ARRSH konfirmoi se një konsorcium greko-shqiptar ka dhënë ofertën më të ulët prej 21,1 milionë euro, për mirëmbajtjen e rrugëve të Qarkut të Shkodrës dhe Kukësit. Këtu nuk përfshihet Rruga e Kombit, e cila është dhënë me koncesion tashmë. Tenderi ishte pjesë e një projekti të përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore për të financuar me rreth 156 milionë dollarë mirëmbajtjen e rrugëve përmes ndarjes në katër zona, sipas shtrirjes gjeografike. Për tre rajonet e tjera fituesit ishin shpallur më parë dhe tenderi i fundit mbyll kështu kontratat për të gjithë Shqipërinë. Në inventarin e mirëmbajtjes do të jenë 1300 kilometra rrugë. Sipas Autoritetit Rrugor, kompanitë do të bëjnë jo vetëm mirëmbajtjen fizike, por edhe investime për te rritur sigurinë rrugore. Projekti me Bankën Botërore synon që të reduktojë me 15 përqind numrin e aksidenteve rrugore. AI synon po ashtu uljen e numrit të kompanive që merren me mirëmbajtjen e rrugëve me qëllim rritjen e eficencës nga njëra anë dhe duke shtuar përgjegjësitë nga ana tjetër.

Artikulli paraprakTREGTARËT PËR ROJET E ARRESTUAR: S’JEMI KËRCËNUAR
Artikulli tjetër“3 HERONJTË”, VIJON AMORTIZIMI I RRUGËVE DYTËSORE