
Vllaznia ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me mesfushorin Arsid Kruja, vetëm pak muaj pas rikthimit të tij në Shkodër. Burime pranë klubit bëjnë me dije se stafi teknik, me në krye trajnerin Edi Martini, nuk kanë qenë të kënaqur me paraqitjet e futbollistit në ndeshjet e Europës, aty ku ku kontributi i tij nuk përmbushi pritshmëritë. Trajneri Edi Martini ia reduktoi ndjeshëm minutat e lojës Krujës, teksa në sfidën e dytë ndaj Vikingur e aktivizoi vetëm në pjesën e dytë dhe më pas e zëvendësoi në shtesa. Si pasojë, palët kanë prishur kontratën, duke e lënë mesfushorin të lirë për të gjetur një skuadër të re përpara nisjes së sezonit. Lajmin e ka konfirmuar edhe vetë futbollisti përmes një postimi në rrjetet sociale: “Nga sot nuk jam më pjesë e Vllaznisë. I uroj suksese të gjithëve”,-ka shkruar ai. Ky është një vendim i papritur, duke marrë parasysh se sezonin e shkuar, Kruja u vlerësua si futbollisti më i mirë i Superiores nga “SofaScore”, ç’ka e bëri afrimin e tij në Shkodër të konsiderohej si një goditje e madhe në merkato, por në fund gjërat nuk rezultuan kështu.






