Braktisja e nxënësve nga shkollat në Shkodër mbetet një shqetësim. Në ditën e 1 qershorit, ditës ndërkombëtare të fëmijëve statistikat që ka drejtoria rajonale e arsimit për fëmijët që lënë në mes sezonin shkollor nuk janë aspak pozitive.

Nga burime zyrtare pranë DAR Shkodër bëhet e ditur se janë mbi 400 fëmijë në shkollat 9-vjeçare të Shkodrës që kanë braktisur bankat duke u larguar. Një pjesë e madhe sipas burimeve zyrate të DAR janë fëmijët të cilët lënë në mes procesin mësimor për shkak të emigrimit drejt vendeve të bashkimit europian të familjeve të tyre.

Nga ana tjetër një pjesë janë fëmijët e komunitetit rom dhe egjyptian që lënë shkollën për shkak të mungesës së kushteve apo edhe një mentaliteti të fituar ndër vite nga ana e tyre. Të shumtë janë edhe ata fëmijë që zgjedhin të mos shkojnë në shkollë për shkak të kushteve ekonomike jo të përshtatshme dhe se familjet e tyre i detyrojnë të punojnë si e vetmja mundësi për të siguruar të ardhura minimale për të mbijetuar.

Në total ky numër i nxënësve që braktisin shkollën kalon shifrën 400. Kjo statistikë zyrtare bën fjalë vetëm për vitin shkollor 2016-2017. Pavarësisht politikave të ndryshme, aktiviteteve sociale, sensibilizuese e ndërgjegjësuese qoftë nga DAR, institucione të ndryshme apo edhe OJF, braktisja e shkollës mbetet një problem ende i pazgjidhur.

Nga këta 400 fëmijë rreth 200 prej tyre janë rikthyer nga emigrimi por natyrisht që kanë vështirësi për t’u ingranuar edhe njëherë në bankat e shkollës. Ky trend edhe në rang kombëtar sipas statistikave mendohet se ka njohur një rritje duke u kthyer kështu në një fenomen serioz. Shkodra nuk është e vetmja zonë ku fëmijët braktisin shkollën sepse kjo ndodh edhe në qytete të tjera që kanë probleme të thella sociale apo edhe papunësinë në nivele të larta.

Arsimi shqiptar gjithnjë e më shumë ndjehet i kërcënuar pavarësisht se ligji për arsimin para-universitar detyron shkollimin. Prindërit në rastet e braktisjes duhet të gjobiten por një gjë e tillë nuk ndodh për shkak të problemeve që kanë këto familje.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakBASHA NE VAU DEJËS, PREZANTON KANDIDATËT
Artikulli tjetërSMAJLAJ RIKTHEHET NË GARAT E RËNDËSISHME