Sot arti shqiptar është tronditur nga një humbje e madhe. Kolosi i humorit Zef Deda u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare. Një sëmundje që e mundoi kohët i morit jetën aktorit të estradës shqiptare të qindra roleve. Që në moshë të re Zef Deda rrëmbeu zemrat e shqiptarëve duke u bërë shumë shpejt i njohur si pjesë e estradës së famshme të Shkodrës e cila në ato kohë të vështira të diktaturës mbushte me të qeshura çdo shtëpi shqiptare. Mjaftoi një prej daljeve të para në skenë tek “Kunati i Shokut Xhemal” për t’u skalitur në artin shqiptar si një prej humoristëve më të mëdhenj. Më pas vijuan me dhjetra e dhjetra role, imitime, parodi, filmat shqiptar, skeçe e komedi të pafundme të cilat e bëjnë Zef Dedën një prej artistëve të përjtshëm kudo ku ka shqiptarë e ku flitet shqip.

U rrit në skenën e teatrit “Migjeni” si një prej aktorëve kryesor të estradës bashkë me shumë emra të mëdhenj të tjerë të cilët e ngritën emrin e Shkodrës në majën më të lartë të artit shqiptar duke u kthyer në një pikë orientuese për mbarë kombin. Zef Deda është një pasardhës i mjeshtrave të humorit, të artit e kulturës shkodrane të cilët me talentin e tyre e bënë këtë qytet të pavdekshëm. I cilësuar si Charli Chaplin shqiptar në vitet e para të demokracisë Zef Deda edhe pse në kulmin e karrierës së tij u detyrua të emigrojë drejt Gjermanisë dhe provoi edhe atje skenën. Pas 6 vitesh u rikthye në Shkodër për të vijuar aty ku e la, si një aktor i madh i estradës duke vijuar të korrë sukses pambarimisht.

Kolosi i humorit lindi në Shkodër më 27 korrik 1950, nisi arsimin e lartë në Tiranë por u shkëput për arsye shëndetësore. Shumë shpejt u bë një prej aktorëve më të dashur për publikun përmes interpretimeve të tij të panumërta. Star Plus i shpreh ngushëllimet e sinqerta bashkëshortes Rozinës, dy djemve artistë Julian Dedës e Mario Dedës, gjithë të afërmve, miqve të artit e kulturës shqiptare. Zef Deda do të mbetet në memorien e çdo zemre shqiptare si një kolos i humorit që përmbi 50 vite shënjoi emrin e tij në panteonin e artit e kulturës tonë kombëtare! Patjetër që Shkodra dhe Shqipëria sot është e mangët edhe pse nuk mund të ketë kurrë një lamtumirë për Zef Dedën!

Artikulli paraprakRAMA NË KONFERENCË PËR “21 JANARIN”: DREJTËSIA E RE TË ZBARDHË KRIMIN. VRASJA NUK KA NISUR NGA TËRHEQJA E KËMBËZËS SË AUTOMATIKUT, POR NGA…
Artikulli tjetërDIMRI PO TREGON ‘DHËMBËT’, NJË STUHI E FORTË PO VJEN DREJT BALLKANIT NGA ARKTIKU, PRITEN RESHJE TË MËDHA DËBORE! QARQET QË DO PREKEN NË SHQIPËRI KËTË FUNDJAVË