Pas akuzave të opozitës, se qeveria reklamon me paratë e shqiptarëve arritje të pavërtetuara vetëm e vetëm sa për të lavdëruar vetveten, ka ardhur edhe reagimi i qeverisë së Shqipërisë, që nuk e ka mohuar pagesën për këtë publicitet në “The Economist”, por ndryshe nga opozita, e quan atë si promovim të vendit për të nxitur në këtë mënyrë investimet e huaja.

Përmes deklaratës së shpërndarë për mediat, qeveria e ka vlerësuar mundësinë e shpërndarjes së numrit special të revistës prestigjioze “The Economist” në Samitin e Davosit, si një oportunitet të paçmuar për të pasur aty një reportazh për të promovuar vendin përpara investitorëve dhe vendimmarrësve të rëndësishëm, në mënyrë që të tërhiqen investime të huaja, që do të sjellin si pasojë edhe krijimin e më shumë vendeve të reja të punës, nxitjen e turizmit dhe të prodhimit vendas. Për këtë arsye, qeveria nuk e mohon të ketë paguar për atë reportazh të shfaqur në revistën britanike, por thotë se për atë – ashtu siç kanë vepruar edhe qeveritë e vendeve të tjera të rajonit, si Maqedonia, Kroacia, Turqia apo Serbia, – ka nënshkruar një kontratë prej 36 milionë lekësh për publikimin e atij reportazhi të zgjeruar mbi Shqipërinë. Sa i përket faktit të supozuar se, revista nuk mban përgjegjësi për atë mbi të cilën bëhet publicitet në këmbim të pagesës, qeveria thotë se “The Economist”, si një prej revistave më prestigjioze dhe me lexueshmëri të lartë në shkallë botërore, nuk mund të publikojë asnjë informacion që nuk është i vërtetë, i paverifikuar, apo që nuk është shkruar nga gazetarë të certifikuar të saj. Në vazhdën e reagimit qeveritar është edhe akuza drejtuar opozitës së sotme për kohën kur ishte në qeveri, në lidhje me shpenzimet e miliona dollarëve nga paratë publike për të transmetuar reklama qeveritare apo për të lobuar, që në thelb të tyre kishin përhapjen në mbarë botën të baltës dhe shpifjeve të ish-kryeministrit Berisha ndaj ish-opozitës socialiste të vendit. Sipas qeverisë, ka ardhur koha që Partia Demokratike të zhvishet nga lëkura e qeverisë së vjetër dhe të bëhet opozita e re, që i ka munguar Shqipërisë prej dy vitesh e gjysmë.

Artikulli paraprakSOT MBLIDHET PARLAMENTI, REFORMA NË DREJTËSI QËNDËR E DISKUTIMEVE
Artikulli tjetërHARADINAJ DEKLARON SE PROTESTAT NUK DO TË NDALEN NË KOSOVË